AKTUALITET, 12 Tetor 2020, 22:46

Steve Bannon flet për Çim Pekën dhe bën një gabim trashanik kur e quan Ramën "socialist"

Steve Bannon flet për Çim Pekën dhe bën një gabim

Ish këshilltari i Donald Trump, Steve Bannon, në një intervistë për Çim Pekën, ka deklaruar se Edi Rama është një socialist dhe se ai nuk i pëlqen socialistët. Madje Bannon shkoi deri aty sa të thotë se Rama "ka folur për vlerat e Rusisë nën komunizëm".

Por, me sa duket Bannon nuk di asgjë për Shqipërinë, sepse Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me socializmin. Edhe pse Rama, vetë-quhet socialist, në fakt politikat që ai ka ndjekur në tetë vite qeverisje në Shqipëri, janë të djathta dhe kanë favorizuar kryesisht të pasurit dhe oligarkët, me koncesione dhe privatizim të shërbimeve të rëndësishme, përfshirë edhe ato shëndetësore. Ndaj Bannon nuk ka asnjë arsye pse mos ta pëlqejë Edi Ramën, përkundrazi, si një populist i djathtë, ai duhet ta pëlqente kryeministrin tonë, pasi kanë disa gjëra të përbashkëta.

Çim Peka: Edi Rama është një socialist dhe komunist në gjykimin tuaj ..

Steve Bannon: Nuk dua të them se është komunist, por besoj, nuk dua ta nënçmoj shumë, por kohë më parë besoj se ai ka folur publikisht mbi vlerat e komunizmit dhe të Rusisë nën komunizëm. Besoj se të shkuarën ai ka folur për vlerat e Rusisë nën komunizëm. Ka folur për vlerat e komunizmit në Bashkimin Sovjetik. Dhe duket së është socialist, kështu që unë nuk mbështes regjimet socialiste, nuk mbështes socializmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, unë mendoj se socializmi është një pjerrtësi e rrëshqitshme në komunizëm, dhe e mendoj komunizmin gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Unë jam populist. Unë vij nga një familje punëtorësh në Amerikë, dhe thjesht kam qenë me fat që të futem në Marinë, të shkoj në Harvard, në Uall Street, të punoj për Goldman Sachs, por unë besoj në kapitalizëm, besoj në liritë që vijnë me demokracinë dhe kapitalizmin, por unë jam një populist. Unë luftoj për njeriun e thjeshtë. Dhe mendoj se njeriu i thjeshtë merr pjesën më të keqe nën socializëm, mendoj se njeriu i thjeshtë është më i humburi në komunizëm, dhe duhet të shikohet rekordi im historik në lidhje me këtë.