AKTUALITET, 11 Gusht 2018, 14:48

Starova: Duka zhgënjimi i parë, e bëra president dhe tani… vendos kampionatin

Starova: Duka zhgënjimi i parë, e bëra president dhe tani…

Sulejman Starova flet ndryshe këtë herë. Duket më i largët me Shqipërinë, më i hidhur me mënyrën se si funksionon futbolli sot në vendin tonë, por ka një ide fikse në kokë se si mund të ndryshojnë gjërat. “Liga Profesioniste. Vetëm Liga mund ta kthejë futbollin në binarët e duhur. Përndryshe do të vazhdojë ta vendosë çdo gjë federata.

Siç ka bërë deri tani. Kur i vodhi pa mëshirë titullin Partizanit dy vite më parë, tani nuk ka frikë të bëjë asgjë”, thotë “bobi” për “Panorama Sport”. Te Feronikeli thotë se do të luftojë për titull, por ndihet më i gjallë aty, më shpresëdhënës se ata. Pra, shqiptarët e anës tjetër mund t’i bëjnë gjërat më mirë seç i kemi bërë ne këtej.

Kur ju kanë zhgënjyer për herë të parë?

Zhgënjimi i parë ishte kur bëra atë president (Dukën). Ai filloi të thoshte më pas ky është për trajner, nuk është për sekretar.

Po më pas?

Po, një zhgënjim tjetër i madh ishte edhe që bëra një skuadër për të dalë kampion dhe nuk ma ditën. Nuk ma ditën ashtu si duhet dhe nuk besoj se u vlerësova për këtë.

E keni fjalën për Partizanin apo jo?

Po.

Po çfarë zhgënjimi keni aty?

Shikoni, unë e kam veshur për herë të parë fanellën e Partizanit me “Fatosat”. Nga fatosat e thjeshtë, sërish me fanellën e Partizanit edhe te fatosat te “Pallati i Pionierëve”. Pastaj shkova te Shkëndija. Isha shtatë vite lojtar dhe tifoz i Shkëndijës. U riktheva te Partizani dhe aty kalova 30 vite të tjera të jetës sime. Nuk ka asnjë njeri sot te Partizani që të ketë kaq vite. Nuk e do Partizanin askush më shumë se ai që ka kaluar gjithë jetën e vet aty. Po, kam dashur edhe Vllazninë sepse kam veshur katër herë fanellën e tyre në Kupën Ballkanike. Edhe Besën e dua sepse kam veshur fanellën e atij ekipi dhe kam ngrënë bukë në Kavajë.

Te Teuta gjithashtu kam punuar dhe kam kaluar vite të mira, por kam edhe shumë miq në Durrës. Jam i lidhur edhe me Kukësin, sepse shkuam deri në “play-off” dhe ishte diçka e paharrueshme. Në gjithë këto eksperienca kam marrë shumë kënaqësi dhe kam pasur edhe shumë zhgënjime. Ndonjë qejfmbetje tani edhe e kam. Nuk bëhem dot hipokrit ta mohoj këtë. Aty zhgënjehesh me një sistem që është i kalbur, që vendos se kush del kampion, kush shkon në Europë dhe kush bie nga kategoria.

Vazhdoni të jeni i këtij mendimi, pra që këtu verdiktet e sezonit paracaktohen?

Po, pa dyshim që po. Shkruaje kështu si të them. Pa zbukurime. Në një errësirë të plotë që është krijuar në Shqipëri, ju keni detyrën t’i pasqyroni mirë gjërat.

Pse, kur është censuruar ndonjëherë Starova në “Panorama Sport” dhe kur e kemi fshehur ndonjëherë të vërtetën?

Nuk thashë këtë. E thashë në parim që media, por sidomos gazeta juaj, t’i thotë gjërat troç. Më duket ndonjëherë e vetmja dritare që hedh dritë mbi errësirën. Prandaj them që aty titulli paravendoset dhe shumë gjëra të tjera. Por, nuk e fsheh se media, sidomos disa portale në Tiranë e ekzagjerojnë me mënyrën se si i trajtojnë gjërat. Rasti i fundit që më mërziti shumë, ishte mënyra se si ishte trajtuar një miqësore e Feronikelit me Teutën.

Burimi: PanoramaSport