AKTUALITET, 11 Gusht 2018, 14:04

Masakra e Resulajt, viktimat përcillen në banesën e fundit

Mund të konsiderohet si tragjedia më e rëndë e ndodhur vitet e fundit në Shqipëri. Pamjet që vijnë nga tre banesat e fshatit Resulaj në Selenicë shkojnë përtej imagjinatës. Tetë arkivole kanë dalë njëri pas tjetrit nga tre shtëpi duke mbyllur përfundimisht këto dyer.

Mes vajit, kujës e lotëve të afërmit i kanë ndjekur nga pas arkimortet me trupat e tetë familjarëve. Ata u varrosën në tetë gropa të hapura në tokat e tyre.

Në ceremoninë e varrimit janë mbajtur edhe fjalime prekëse, ku është kërkuar që shteti të dënojë autorin e krimit të rëndë. Ngjarja e djeshme cilësohet si nga më të rëndat që është dëgjuar në këto 30 vitet e fundit, ndërsa në ceremonia marrin pjesë jo vetëm familjarë, e të afërm, por banorë të fshatit e qindra qytetarë.

VIKTIMAT

1- Demir Zykaj, 75 vjec (Vellai i gjyshit të autorit)

2- Ferie Zykaj, 72 vjece, (Gruaja e Demirit)

3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i demirit)

4- Vasilika Zykaj, (Gruaja e Besimit)

5- Sara Zykaj, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)

6- Ledjon Zykaj, 6 vjec (Djali i Besimit)

7- Azem Zykaj (Djali i Demirit)

8- Afërdita Zykaj (Gruaja e Azemit)

SI NDODHI NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Resulaj të Vlorës. Në rrethana ende të paqarta, Ridvan Zykaj pasi ka rrëmbyer një kallashnikov në dorë, ka shkuar në drejtim të banesave të kushërinjve të tij. Si fillim ai ka hyrë në oborrin e banesës së Besim Zykajt, ndërsa e ka gjetur kryefamiljarin aty dhe më pas ka hapur zjarr ndaj tij. Ai ka vrarë si fillim Besimin dhe gruan e tij, Vasilikën. Dora gjakatare e 24-vjeçarit ka shtënë edhe ndaj vajzës së Besimit, Sarës, 17 vjeçe, e cila qëndronte pak më larg prindërve dhe vëllain e saj të mitur, Ledjonin, vetëm 6 vjeç.

Pasi ka shuar familjen e parë, Ridvani ka ecur në drejtim të banesës së Demirit, (vëllait të gjyshit) ndërsa e ka vrarë atë teksa qëndronte në divan në ballkonin e shtëpisë, dhe më pas ka shtënë në drejtim të gruas së tij, duke e lënë dhe atë të vdekur në vend.

Ndërkohë, djali i Demirit, Azemi, pasi ka dëgjuar të shtënat me armë, ka dalë i tronditur bashkë me gruan për të parë se çfarë po ndodhte dhe iu drejtuan shtepisë se babait, por janë vrarë me breshëri plumbash të dy bashkë në rrugë. Pas 12 orësh në arrati, 500 forca policie kanë bërë të mundur arrestimin e 24-vjeçarit, i cili nuk shprehu asnjë shenjë pendese për krimin e rëndë.