AKTUALITET, 11 Gusht 2018, 12:30

Masakra në Resulaj, autori: Dy familjet Zykaj më kanë akuzuar për vjedhje

Masakra në Resulaj, autori: Dy familjet Zykaj më kanë akuzuar

Ridvan Zykaj, autori i krimit të ndodhur fshatin Resulaj të Selenicës, ka rrëfyer në polici arsyet përse shkaktoi një tragjedi të tillë.

Ai ka rrëfyer gjatë seancës së pyetjeve se dy familjet Zykaj e kanë akuzuar për vjedhje. Në fakt një gjë të tillë e ka rrëfyer për mediat edhe gjyshi i të arrestuarit, i cili tha që një nga nuset e familjes së vrarë, e kishte akuzuar të nipin se i kishte vjedhur 5 pula deti.

“Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbasditen e datës 10.08.2018, ku u vranë me armë zjarri 8 pjestarë të dy familjeve ju informojme se: Grupi hetimor me ekspertë të Policisë Kriminale të DVP Vlorë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vijojnë hetimet lidhur me motivin e plotë të krimit të kryer prej 24 vjeçarit në fshatin Resulaj. Qe prej momentit qe u shoqërua në ambjentet e DVP Vlorë, autori po pyetet në disa seanca nga strukturat policore përkatëse mbi rrethanat e krimit. Nga hetimet e deri tanishme dhe nga deklarimet paraprake të shprehura prej tij, ka rezultuar se e ka kryer aktin kriminal për motive të dobëta/banale, (autori është shprehur se pjestarë nga dy familjet Zykaj e kanë akuzuar për vjedhje). Lidhur mbi këtë por edhe në pista të tjera Policia po vijon hetime të imtësishme deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton policia.

Ridvan Zykaj, 24-vjeç, vrau në fshatin Resulaj të Selenicës 8 persona nga dy familje të fisit Zykaj, gjithashtu të afërm të tij.

Ai u kap nga policia pas 12 orësh në arrati, ndërsa ende nuk ka shfaqur shenja pendese. Përkundrazi, ka mbajtur qëndrim të fortë përpara policisë duke thënë që “Më keni kapur me vonesë”.