SPORT, 28 Qershor 2023, 11:54

Zbulohet plani B i FSHF-së, Kategoria Superiore si Seria A

Zbulohet plani B i FSHF-së, Kategoria Superiore si Seria A

Transmetimi i ndeshjeve të Superiores dhe të Kategorisë së Parë është rikthyer sërish në pikën zero. Edhe një sezon më parë në këtë periudhë diskutohej ethshëm deri sa në fund u arrit një marrëveshje me “Over Sport”, që sipas FSHF-së kishte bërë edhe ofertën më të madhe financiare.

Po tani? Opsioni më i mundshëm është që Superiorja të rikthehet sërish në ekranin e “Supersport” ose “Tring”-u të prodhojë ndonjë surprizë të orëve të fundit. Sidoqoftë, nëse nuk ka ndonjë prapaktheu të federatës gjatë ditëve në vijim, do të rihapet sërish gara dhe mbetet për t’u parë se kush fiton. Por ka edhe një plan tjetër…

SISTEMI “CHAMPIONS” – FSHF-ja dhe Duka personalisht duan t’i japin një zgjidhje përfundimtare, të sigurt dhe afatgjatë çështjes së transmetimit të dy kampionateve kombëtare: Superiores dhe Kategorisë së Parë. Ideja e përfolur ditët e fundit është prodhimi i sinjalit nga vetë federata, duke nxjerrë më pas në ankand transmetimin jo vetëm për një operator ose platformë, por për disa që mund të jenë të interesuara. E thënë ndryshe, bëhet fjalë për një sistem të ngjashëm si me Ligën e Kampionëve, ose edhe me Serinë A, që transmetohet në “DAZN” dhe “Sky Sport”.

Kjo do të thotë se të gjitha televizionet kombëtare, platformat kryesore digjitale, por edhe kompani të transmetimit “OTT” (transmetim nëpërmjet internetit) të mund të garojnë për blerjen e një numri ndeshjesh dhe t’i transmetojnë ato gjatë fundjavave. Për ta realizuar një plan të tillë federatës do t’i duhen fonde ekstra fillimisht, sepse që të bëjë të mundur prodhimin e sinjalit dhe më pas t’ua ofrojë atë me pagesë televizioneve apo platformave të ndryshme, ka gjithashtu kosto. Për ta zgjidhur këtë FSHF-ja mund të kërkojë asistencën e FIFAs, por edhe kjo do kohë. Gjithsesi, kjo zgjidhje inovatore mbetet plani B i FSHF-së, sepse mundësitë më të mëdha për momentin janë që e drejta TV për Superioren të dalë sërish në ankand.

“Abissnet Superiore” hyn në vitin e fundit – Para dy sezonesh kompania “Abissnet” fitoi të drejtën për vendosjen e emrit të Kategorisë Superiore. E quajtur “Abissnet Superiore”, kompania e fitoi ankandin e zhvilluar për vlerën e 54 milionë lekëve të rinj për tri sezone. Kështu, kampionati i ri që do të nisë, 2023- 2024 do të jetë i fundit me këtë emër, kjo sipas kontratës së firmosur dhe në përfundim do të shihet nëse “Abissnet” do të garojë sërish për emrin.