SPORT, 17 Janar 2022, 14:09

Vllaznia “përforcon” Kastriotin, huazon te krutanët sulmuesin Nunes

Vllaznia “përforcon” Kastriotin, huazon te krutanët

Vllaznia ka menduar të ndihmojë Kastriotin në këtë merkato, duke i “përforcuar” krutanët me sulmuesin Kaina Nunes.

Sulmuesi i cili nuk gjeti hapësira në formacionin e trajnerit Thomas Brdaric, është huazuar për pjesën e mbetur te skuadra e Emiliano Çelës.

Vetë klubi shkodran e ka bërë të ditur njoftimin nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kur tregon se sulmuesi është transferuar në huazim te Kastrioti.

“KF Vllaznia bën të ditur se me kërkesë të KF Kastrioti, por edhe me dëshirën e vetë lojtarit, ka rënë dakord për ta huazuar futbollistin Kaina Nunes tek skuadra krutane deri në fund të sezonit 2021-2022.

Ne shpresojmë që ai të ketë më shumë hapësira aktivizimi tek kjo skuadër, ndërkohë që në fund të sezonit do të rikthehet sërish në klubin tonë sepse kemi edhe një vit tjetër kontratë me të.

Suksese Kaina në aventurën tënde të re!”, thuhet në njoftimin e Vllaznisë.