SPORT, 16 Janar 2022, 23:30

Murinjo i kërkoi ndjesë publikisht, Kumbulla: Vij nga një periudhë ku kam shfaqur vështirësi

Murinjo i kërkoi ndjesë publikisht, Kumbulla: Vij nga një

Marash Kumbulla ka qenë sot një nga lojtarët më të spikatur të Romës në suksesin 1-0 ndaj Kaljarit. Mbrojtësi mori elozhe nga Murinjo pas sfidës, me teknikun që kërkoi ndjesë se e kishte kritikuar publikisht.

Ndërsa vetë Kumbulla në deklaratat e tij për klubin e Romës, theksoi se më në fund po shihej puna e tij dhe se po jepte maksimumin në stërvitje çdo ditë.

“Jam i lumtur pasi vij nga një periudhë në të cilën nuk kam luajtur shumë dhe kam shfaqur vështirësi. Falë shokëve të mi dhe trajnerit, që më kanë dhënë shumë këshilla. Jam munduar që të punoj më maksimum në stërvitje për t’u gjetur i gatshëm për të dhënë kontributin tim.

Jam shumë këmbëngulës dhe e cilësoj veten një futbollist të përulur, Mundohem të jap maksimumin për skuadrën dhe mendoj se këtë gjë trajneri dhe shokët e kanë parë dhe vlerësuar”, ishin fjalët e mbrojtësit shqiptar.

Më parë për Kumbullën kishte folur edhe trajneri Hoze Murinjo, i cili e vlerësoi maksimalisht paraqitjen e qendërmbrojtësit të kombëtares shqiptare.

“Kumbulla ishte më i miri në fushë. Ai ka bërë një ndeshje fantastike dhe është një kënaqësi e madhe sepse në një moment të sezonit ka pasur vështirësi.

Kam qenë negativ në reagime, por ai ka qenë gjithmonë i përulur dhe është rritur. Në mbrojtjen me tre lojtarë ai ndihet më i qetë dhe luajti mirë, sikurse edhe Mançini”, tha Murinjo për mediat.