SPORT, 9 Maj 2022, 21:59

Vllaznia fiton në "frymën e fundit" ndaj Kukësit dhe merr vendin e tretë

Vllaznia fiton në "frymën e fundit" ndaj Kukësit dhe

Një gol në minutën e fundit nga Çoba (90'+5)  i ka dhënë fitoren Vllaznisë përballë Kukësit me rezultatin 2-1. Në sfidën për një vend në Europë, shkodranët nuk u dorëzuan dhe në minutën e fundit përpjekja e tyre u vlerësua duke dalë nga ky takim me pikë të plota dhe ngjiten në vendin e tretë me pikë të barabarta me Partizanin.

Ekipet e nisin qetë ndeshjen dhe fillimisht analizojnë taktikat e kundërshtarit. Në minutat e para nuk prodhohen shumë raste shënimi, ndërsa rreziku i parë vjen pas 25 minutash lojë nga Aralica që tenton nga distanca.

Provon dhe Kukësi që godet shtyllën me Bashën dhe më pas provon nga distanca me Taipin, por topi i tij nuk gjen kuadratin. Kur të gjithë mendojnë se ekipet do të shkojnë në dhomat e zhveshjes në paqe, Da Silva gjen edhe rrugën e rrjetës.

Një harkim perfekt i Gurishtës gjeti të lirë në zonë Da Silvan që me kokë mposhti portierin kundërshtar dhe e çoi rezultatin në 1-0. Në këto shifra mbyllet edhe pjesa e parë.

Pjesa e dytë nis me një shans të artë për Kukësin që ka mundësi të vendosë sërish ekuilibrat e takimit. Milunovic është i lirë në zonë pas një harkimi nga e djathta dhe me një goditje të bukur kërkon të mposhtë Zogovic, që tregon aftësitë e tij dhe e çon topin mbi tranversë.

Pak minuta më vonë Aralica ka mundësinë të mbyllë sfidën. Një harkim e nxjerr atë me portën pothuajse të boshatisur që i duhet vetëm të shtyjë në rrjetë topin me kokë. Megjithatë, koordinimi nuk është perfekt dhe nuk arrin dot të ndëshkojë Kukësin.

Një rast që peshon ky pasi Kukësi gjen menjëherë golin e barazimit me anë të Bruno Lulaj. Zogovic nuk largon dot si duhet topin pas goditjes së dënimit të Taipit dhe Lulaj ndodhet në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë.

Rezultati shkon në 1-1 kur kanë mbetur edhe 10 minuta nga fundi i takimit. Ekipet provojnë të fitojnë ndeshjen dhe hidhen në sulm për të gjetur avantazhin, por raset e krijuara nuk rrezikojnë dot sa duhet portën kundërshtare.

Kur pritej që ndeshja të përfundonte në barazim, i sapohedhuri në fushën e lojës, Mehdi Çoba gjeti edhe golin e avantazhit për Vllazninë duke ngritur peshë “Loro Boriçin”. Kështu Kukësi dorëzohet në minutën e fundit me ndeshjen që përfundon në shifrat 2-1.

Vllaznia merr tre pikë shumë të rëndësishme ndaj një rivali direkt si Kukësi dhe ngjitet në vendin e tretë me pikë të barabarta me Partizanin në kuotën e 49 pikëve.

KATEGORIA SUPERIORE – Java 33
Vllaznia – Kukësi 2-1
Shënues:
Da Silva 43’, Çoba 90+5’ / Lulaj 80’