TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kanë tentuar shumë të tjerë para tij, madje edhe legjenda të klubit, si Françesko Toti apo Daniele de Rosi. Por asnjëri prej tyre nuk i është afruar një finaleje europiane. Megjithatë, Nikolo Zaniolo jo vetëm që e ka bërë, duke arritur një finale në Europë me Romën, por ka shkuar përtej thjesht mbërritjes në finale. E ka fituar atë si protagonist në fushë.
Si protagonist i madh madje, sepse nga këmbët e tij ka ardhur goli që ka vendosur fatin e finales dhe duke çuar në Romë trofeun inaugurues të kompeticionit më të ri në Europë, Liga e Konferencës.
Mesfushori i verdhekuqve ka folur për mediat italiane fill pas fërshëllimës së gjyqtarit të takimit, duke treguar emocionet e para për këtë sukses në Europë, i pari në historinë e verdhekuqve nëse nuk llogarisim Kupën e Panaireve.
“Jam shumë i lumtur, nuk ka shumë fjalë për të thënë në këto momente. Ndoshta nuk gjenden fjalën e duhura, sepse emocionet janë të forta".
Mesfushori i Romës ka theksuar gjithashtu dhe faktin tjetër se ka vuajtur jo pak këto dy vite si pasojë e problemeve me dëmtimet. Por tani gjithçka duket si një ëndërr e keqe e lënë pas.
“Kam kaluar një periudhë të gjatë jashtë fushave si pasojë e dëmtimeve. Kanë qenë dy vite të vështirë, ndaj ky trofe ka qenë kura më e mirë.
Një pjesë e madhe e këtij trofeu shkon për familjen time që më ka mbështetur fuqishëm në këto dy vite. Ata kanë qenë pranë meje dhe jam i lumtur që po ua shpërblej me këtë trofe”, ka nënvizuar autori i golit të fitores së Romës.
Në fund një fjalë për ata që më shumë e kanë mbështetur skuadrën, tifozët.
“Ky trofe shkon për tifozët tanë të mrekullueshëm. Ata e meritojnë më shumë se askush tjetër. Na kanë mbështetur, kanë vuajtur me ne dhe tani është koha të festojmë.
Kanë qenë të pabesueshëm, fantastikë. I kemi bërë një dhuratë të bukur”, ka thënë mesfushori i verdhekuqve, Nikolo Zaniolo.