SPORT, 24 Gusht 2024, 15:56

United bie në “Amex Stadium”, “Pulëbardhat” mundin “Djajtë” në frymën e fundit

 United bie në “Amex Stadium”, “Pulëbardhat”
Largimi i De Zerbi nga pankina e “Pulëbardhave” të Brighton mendohej se do të sillte një “shkatërrim” total të projektit të nisur në “Amex Stadium”, mirëpo nuk ka rezultuar aspak i tillë, teksa pas fitores, 3-0, në javën e parë të Premier League përballë Everton, kanë regjistruar edhe fitoren e radhës. “Viktima” e radhës ishte pjesë e “gjigantëve” të elitës angleze të futbollit, me “Pulëbardhat”, që arritën një fitore të madhe, 2-1, përballë “Djajve të Kuq”, të Manchester United.

Siparin e golave e çelën pikërisht vendasit, me “bomberin” anglez, Danny Welbeck, i cili tundi rrjetën e Onana, në minutën e 32’-të, duke nisur festën e skuadrës së tij. Vetëm pak sekonda më vonë Rashford barazoi shifrat, mirëpo pas një rishikimi të aksionit me anë të sistemit VAR goli rezultoi i parregullt për shkak të një pozicioni jashtë loje. Shifrat do të barazoheshin me të vërtetë në minutën e 60’-të falë “pistonit” të krahut, Amad Diall dhe vetëm 10 minuta më vonë “bomberi” holandez, Joshua Zirkzee dyfishoi shifrat, mirëpo sërish një rishikim i aksionit me anë të sistemit VAR prishi festën e “Djajve”.

Teksa gjithçka dukej se do të mbyllej në barazimin 1-1 ka ardhur edhe përgjigjja e “Pulëbardhave”, me “yllin” brazilin, Joao Pedro, i cili zhyt topin në rrjetën e Onana në minutën e 95’-të, për t’i dhënë goditjen përfundimtare kundërshtarit. Kështu, falë këtij rezultati Brighton ngjitet përkohësisht në vendin e parë të tabelës së Premier League, me 6 pikë të plota, ndërsa United mbetet në vendin e 8, me vetëm 3 pikë.