SPORT, 6 Tetor 2023, 20:29

Të rilindurit me Zoran Zekiçin, katër lojtarët e rinj kthehen në fokusin e Partizanit

Të rilindurit me Zoran Zekiçin, katër lojtarët e rinj

Në momentin që në krye të një skuadre vjen një trajner i ri, lojtarët e stolit dhe ata që kanë qenë në “hije”, janë të parët që mobilizohen dhe mundohen në maksimum të shfrytëzojnë shansin e ri që u ka ardhur në “derë”.

Përveç kësaj, ka trajnerë që një lojtari të caktuar arrijnë t’i marrin më të mirën dhe të shfrytëzojnë cilësitë e tij, në një situatë kur trajneri i mëparshëm mund të mos e ketë bërë dot. Te Partizani, me Zekiçin disa lojtarë që kanë qenë në hije për arsye të ndryshme, janë kthyer në elemente kryesorë të skuadrës dhe po ndihmojnë shumë ekipin me kontributin e tyre në fushë.

MAGET GUEJE – Mesfushori vitin e shkuar, ndikuar edhe nga problemet me klubin, ishte një lojtar në plan të dytë. Më pas Kolela nisi ta ketë në fokus, por dëmtimet nuk e lejuan të kthehet në formën e duhur. Me ardhjen e Zekiçit situata ka ndryshuar dhe Maget tashmë po shndërrohet në titullar fiks. Pas paraqitjeve të fundit, në klub ai konsiderohet si një element me të ardhme.

SALIU SEMBENE – Mbrojtësi nuk luante me Partizanin që nga koha e Ilir Dajës, një vit e gjysmë më parë, por tashmë pozitat e tij në skuadër janë ngritur shumë. Mbrojtësi ka qenë i pafat me dëmtimet dhe aktualisht po rikuperohet, por rikthimi i tij pritet të trazojë hierarkinë në mbrojtje. Në Europë, Zekiçi e aktivizoi si titullar.

LEART ZEKOLLI – Rol parësor të tij ka mesfushën dhe vitin e shkuar aktivizohej herë pas here në këtë rol, më së shumti si zëvendësues. Në këtë fillimsezoni, i riu po luan si mbrojtës i djathtë, një rol, ku po bën mjaft mirë dhe ka arritur të gjejë hapësira, duke përfituar edhe nga problemet fizike të Andi Hadrojt.

ARÇEJNXH BINTSUKA – Sulmuesi vitin e shkuar erdhi te Partizani dhe qëndroi vetëm disa ditë, pasi klubi nuk e konsideroi si një lojtar që mund ta ndihmonte skuadrën. Pas një viti te Drenica, në kthim ai po tregon cilësi të mëdha dhe me siguri klubi është “penduar” që e huazoi vjet, pasi mund t’ia kishin parë hajrin me kohë. Deri më tani ka shënuar tre gola dhe po shndërrohet në një kërcënim edhe për një sulmues si Kristian Mba.