TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tirana dhe Orges Shehi do të jenë bashkë edhe një vit, por marrëveshjen me bardheblutë mund ta prishë një palë e tretë.
Bëhet fjalë për një skuadër azerbajxhanase, që kërkon shërbimet e trajnerit të nënkampionëve të Shqipërisë. Trajneri Orges Shehi mund të marrë drejtimin e një skuadre në Ligën e Azerbajxhanit edhe pse Tirana njoftoi pak ditë më parë zgjatjen e bashkëpunimit me të.
Sipas medias “Azerisport.com”, tekniku ka marrë ofertë nga një prej klubeve të “AZPL”-së.
Raportohet se 45-vjeçari nuk është kundër të provojë veten në Azerbajxhan dhe pse nuk është specifikuar se me cilin klub po zhvillohen negociatat. Gjithsesi, mësohet jozyrtarisht se ekipi që kërkon Shehin mund të jetë Karabaku ku luan Redon Xhixha. Deri dje azerët merrnin lojtarë, ndërsa tani po mundohen të rrëmbejnë edhe trajnerët shqiptarë.
MARRËVESHJA – Orges Shehi dhe Tirana patën një kthesë të papritur dhjetë ditë me parë. Një ndërhyrje e presidentit Refik Halili për të ndërtuar një skuadër kampione dhe për të mos u shpërbërë ekipi nga largimi i trajnerit, bëri që ai t’i mbushë mendjen Orges Shehit të firmosë edhe një vit me bardheblutë.
Në fakt, kanë qenë disa veprime të presidentit që të mbante trajnerin dhe logjikisht do të qëndronin edhe futbollistët pa kontratë. Vendimtare ishte rritja e ofertës së parave dhe dëshira e tifozëve dhe lojtarëve që Shehi të qëndronte në ekip.
PARATË – Janë gjithmonë të rëndësishme. Në këtë rast, rritja e ofertës së presidentit Refik Halili ka bërë që Shehi të qëndrojë. Rroga e Shehit ka qenë 7 milionë lekë në muaj, ndërsa tani ai do të marrë mbi 100 milionë lekë në një sezon. Shkëndija i kishte ofruar Shehit 80 mijë euro në vit, plus 20 mijë euro nëse fiton titullin. Halili i kërkoi Shehit që të mos prishte të ardhmen për 8 milionë lekë.
Nga ana tjetër, nëse skuadra e huaj vendos që të marrë Shehin mund të paguajë për prishjen e kontratës së re me bardheblutë. Për presidentin Refik Halili, Orges Shehi është trajneri më i mirë që ka pasur ai gjatë epokës që ka kontrollin e Tiranës.