SPORT, 11 Shkurt 2023, 21:09

Roma ndalet nga Leçe në kampionat, Murinjo justifikohet: Fushë e tmerrshme, rrezikuam kaviljet

Roma ndalet nga Leçe në kampionat, Murinjo justifikohet: Fushë

Roma ka humbur mundësinë për t’u kthyer përsëri në vendin e dytë në renditjen e Serisë A, teksa është ndalur me një barazim 1-1 nga Leçe në ndeshjen e javës së 22-rë të kampionat. Skuadra e Murinjos ka vuajtur shumë në transfertë në një duel shumë të luftuar.

Vendasit ishin të parët që kaluan në avantazh falë goditjes së Bashiroto e cila u devijua në rrjetë nga Ibanjez. Pastaj, ishte Dibala i cili vendosi baraspeshën me një penallti. Por shifrat nuk ndryshuan më dhe verdhekuqtë rrezikojnë të humbasin vendin mes katër skuadrave më të mira.

Një rezultat që nuk i ka pëlqyer Zhoze Murinjos, por i cili ka gjetur justifikimin për paraqiten e skuadrës së tij, duke ia vënë fajin fushës. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, e ashpër, e luajtur në një fushë të tmerrshme. Lojtarët kishin probleme të luanin me një prekje, duhej ngritur topi dhe rrezikoheshin kaviljet. Për këtë arsye, lojtarëve të mi nuk u them asgjë negative, as në mënyrë individuale dhe as kolektive”, theksoi Murinjo pas ndeshjes.