SPORT, 11 Shkurt 2023, 10:07

“Nisët një precedent të rrezikshëm”, shpërthen Pep Guardiola: Siti i pafajshëm, komplot i rivalëve

“Nisët një precedent të rrezikshëm”,

Pep Guardiola ka bërë një mbrojtje pasio nante të klubit të Mançester Sitit pas vendosjes nën akuzë nga Premier Liga për shkeljen e mbi 100 rregullave të “Fair Play”- t Financiar. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së të dielës me Aston Vilën, trajneri i kampionëve të Anglisë këmbënguli se “Qytetarët” po trajtohen si fajtorë që tani, ndërsa ata janë të pafajshëm.

Më poshtë është e plotë e gjithë konferenca e trajnerit katalanas, i cili u pyet për akuzat që mund të sjellin dënime nga ulja e pikëve deri në përjashtimin nga Premier Liga: “Mirëmëngjesi të gjithëve. Fjalët e para të miat janë për njerëzit në Turqi dhe Siri për këto momente të tmerrshme (pas tërmetit). Mendimi im i parë është që ne jemi që tani të dënuar. Ajo që ndodhi pas së hënës është njëlloj siç ndodhi me UEFA-n. Ne na dënuan. Mbi ne rëndon vetëm një akuzë. Përse duhet të ndodhë kjo kur klubi këmbëngul se ne ishim plotësisht të pafajshëm edhe kur UEFA na akuzonte? 19 skuadra të Premier Ligës na akuzojnë neve, ndërsa unë i besoj fjalëve të presidentit dhe pronarit tim”.

A do të arrijnë njerëzit në përfundimin se sukseset tuaja janë të njollosura?

Ne jemi me fat që jetojmë në një vend të mrekullueshëm, ku cilido është i pafajshëm derisa të shpallet fajtor. Ne nuk e patëm këtë mundësi. Jemi që tani të dënuar. Se çfarë do të ndodhë tani unë nuk e di. Personalisht jam i lumtur që jam këtu. Ashtu si në rastin e UEFA-s, ne kemi shansin për t’u mbrojtur. Mendoj se kemi avokatë të mirë. Mendoj se Premier Liga mbështetet prej 19 skuadrave, të cilat kanë gjithashtu kanë avokatë të mirë. Në rast se nuk jemi të pafajshëm, atëherë do të pranojmë atë që gjykatësi i Premier Ligës do të vendosë. Por çfarë do të ndodhë në të njëjtën situatë që ndodhi me UEFA-n dhe ne ishim të pafajshëm? Çfarë ndodhi për të pastruar figurën tonë dhe dëmin e shkaktuar? Ata kanë hapur një precedent tani. Me atë që na kanë bërë neve, duhet të bëjnë kujdes në të ardhmen. Shumë klube mund të aludojnë dhe ka shumë klube që mund të akuzohen siç jemi akuzuar ne, por pa qenë të pafajshëm. Sepse dëmi që shkaktohet tani është për një dekadë, për 8, 9, 10 vite. Një javë më vonë, UEFA bëri një deklaratë kundër nesh: Bërnlej, Uolvesi, Lestëri, Njukasëlli, Totenhemi, Junajtidi, Liverpuli, Arsenali, Çelsi donin që ne të përjashtoheshim nga Champions-i. Ato nuk janë armiq apo shokë, por thjesht palë të interesuara. A ndryshon gjë kjo? Jo. Të njëjtat artikuj me verdikte: “Ti duhet të shkosh në Ligën e Dytë, ndoshta në Konferencë”.

Cili ishte reagimi i lojtarëve?

Nuk është një histori e paprecedentë. Ne e kemi përjetuar këtë 2-3 vite më parë. Këtu nuk është harruar. Ne akuzoheshim nga këto 9 skuadra më parë dhe tani janë 19.

Keni folur me lojtarët për këtë?

Klubi ka folur me të gjithë ne, por unë nuk kam folur. Po stërvitemi normalisht dhe do të përpiqemi të mundim Aston Vilën. Përse duhet të shpërqendrohen lojtarët e mi? Do të jenë gjykatat ato që do të vendosin se çfarë do të ndodhë dhe më pas unë jam shumë i bindur se do të jemi të pafajshëm. Çfarë do të ndodhë më pas? Që kur klubi është blerë nga pronarët nga Abu Dhabi ka qenë gjithnjë kështu.

Çfarë problemi ka pasur me skuadrën këto kohë?

Ne humbëm me Totenhemin, por nuk luajtëm keq. Duhet të kemi më shumë vazhdimësi dhe do të provojmë të dielën.

Cilët janë lojtarët te të cilët mund të mbështeteni?

Jam i kënaqur me skuadrën dhe e di se si janë stërvitur kohët e fundit. Normalisht ne nuk dorëzohemi dhe kam ndjesinë se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

A ka një objektiv afatgjatë të pronarëve për ta shitur klubin dhe ju të largoheni?

Ne nuk jemi pjesë e themelimit të kësaj lige, por në të njëjtën kohë unë e kuptoj përse ata e bëjnë këtë. Po ju lutem, na lini që të mbrojmë veten. Në këtë vend, të gjithë janë të pafajshëm derisa provohet që je fajtor. Kush do të na e paguajë dëmin? Tani është koha që avokatët e të dyja palëve të mbrojnë pozicionet e tyre, por unë nuk jam i përfshirë. Do të zgjasë një muaj, dy, tre apo më gjatë, do ta dimë.

Çfarë doni që të shikoni nga skuadra të dielën?

Të përpiqemi të mundim Aston Vilën dhe të provojmë të luajmë mirë, të dimë ekzaktësisht atë që ata do të bëjnë kundër një trajneri me shumë përvojë, kundër një skuadre të mirë dhe përpiqemi t’i mundim duke u fokusuar te loja jonë.

A ju japin një motivim ekstra ngjarjet e javëve të fundit?

Jo. Ne kemi fituar gjithçka në fushë dhe pavarësisht asaj që ndodhi të hënën, është folur shumë, ka pasur shumë zhurmë. Por mendoj se të gjithë do të bëjnë punën e tyre.

Keni qenë në kontakt me Ferran Sorianon (administratorin) dhe Khaldon Al-Mubarakun (presidentin)?

E njëjta gjë ndodhi edhe me UEFA-n. Unë do të thosha që ata janë më besimplotë dhe kanë më shumë eksperiencë. Kështu që unë iu kam thënë të gjithëve, vazhdoni që të bëni punën tuaj.

Duke parë që procesi mund të zgjasë me vite, është zhgënjyese që ju kanë shpallur që tani fajtorë?

Ndodhi me rastin e UEFA-s dhe tani po ndodh sërish. Nuk mendoj se do të rrimë çdo ditë duke folur për këtë, kështu që duhet të mësohemi.

Do të donit që të përfundonte shpejt?

Po, por ka shumë procese. Unë e di se çfarë do të ndodhë.

Mendoni se klubet e tjera nuk e pëlqejnë Sitin?

E kam të vështirë të përgjigjem, nuk e di. Tani hapën një precedent. Me atë që ata na kanë bërë neve, duhet të bëjnë kujdes në të ardhmen, sepse shumë klube mund të aludojnë dhe shumë klube mund të akuzohen siç po akuzohemi ne, por pa qenë të pafajshëm. Unë mund të kem një opinion apo ndjesi, por nuk e di. Megjithatë, ato po ushtrojnë presion që të na heqin qafe, kjo është e qartë, sepse besojnë se ne nuk jemi sjellë siç duhet. Në fund ne do ta pranojmë këtë. Por na lini që të mbrohemi. Ne treguam vetëm disa vite më parë, jo një shekull më parë me UEFA-n, se nuk kemi nxjerrë mësime nga kjo. Këto janë dyshime, por jo dënime.

Mendoni se është orkestruar nga klube të tjera?

Po, sigurisht. Është Premier Liga.

Nuk e di. Duhet të shkoni te të gjithë presidentët e tyre dhe t’i pyesni.

Ju bën kjo më të vendosur për të luftuar?

Unë shpresoj që arsyet përse klubi do të më shkarkojë të jenë rezultatet. Është arsyeja përse trajnerët ulen në stol dhe që largohen prej tij. Unë nuk lëviz nga kjo karrige. Mund t’iu siguroj më shumë se kurrë se dua të qëndroj. Ndonjëherë kam dyshime. Shtatë vite janë një kohë shumë e gjatë. Tani nuk dua të iki. Jo sepse njerëzit thonë “ata të gënjyen Pep”. Ata nuk më gënjyen. Shikoni çfarë ndodhi me UEFA-n. Është e njëjta çështje. Përse nuk duhet t’u besoj unë njerëzve të mi? Shefat e 19 klubeve të Premier Ligës nuk janë njerëzit e mi.

A mund ta përdorni të gjithë këtë situatë si një armë për t’u motivuar?

Ne nuk jemi vetëm kur jemi të bashkuar, por kur ne kemi kundër 19 skuadrave ne jemi vetëm. Por ne nuk duhet ta kemi mendjen atje, sepse na akuzojnë. Duhet të luajmë mirë, të mundim Aston Vilën dhe luajmë siç kemi bërë gjithnjë. Aguero na shënoi një gol që na dhuroi titullin, Gyndoan shënoi dy. Ne e kemi fituar atë në fushë. Na lini që të mbrohemi dhe pastaj, nëse kemi bërë diçka të gabuar, ne do ta pranojmë. Por çfarë do të ndodhë nëse jemi të pafajshëm? A do të na i paguajë njeri dëmet? Jo. A do të dënohen ata që na akuzojnë me heqje pikësh apo zbritje nga kategoria?

A keni ndonjë dyshim për të ardhmen?

E ardhmja është dreka pas kësaj konference të mrekullueshme për shtyp. Kemi Aston Vilën, pastaj ndeshjen me Arsenalin dhe Ligën e Kampioneve në prag. Ne nuk kemi asgjë në kontroll dhe ajo që lojtarët duhet të bëjnë është të mbrojnë këtë klub sa më mirë që të jetë e mundur.

A është kjo një nga gjërat më të këqija që ju ka ndodhur në jetë?

Jo, unë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Unë kam të njëjtën ndjesi si me rastin e UEFA-s, por ai ishte më keq. Unë do t’u thosha lojtarëve nesër: “Përqendrohuni te talenti juaj dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë në fund të këtij viti apo 1.5 viteve”. Nuk dua që të parashikoj, sepse nuk e di.