SPORT, 14 Gusht 2022, 22:43

Roma e nis me fitore sezonin e ri, shqiptarët e Empolit dalin pa pikë nga transferta me Specian

Roma e nis me fitore sezonin e ri, shqiptarët e Empolit dalin pa pikë

Roma e nisi në mënyrën më të mirë sezonin e ri të Serisë A, duke mundur në transfertë Salernitanën me rezultatin minimal, 0-1.

Ai që vendosi për verdhekuqtë ishte Brajan Kristante, i cili me një gjuajtje në minutën e 33’, dërgoi topin në rrjetë, me ndihmën edhe të mbrojtësve që e devijuan.

Dy mbrojtësit e Kombëtares shqiptare, Frederik Veseli për Salernitanën dhe Marash Kumbulla për Romën, nuk u aktivizuan asnjë minutë në këtë takim.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Specia triumfoi në shtëpi me rezultatin 1-0 përballë Empolit të shqiptarëve. Ai që vendosi takimin ishte Nzola me një gol në minutën e 36’.  Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli luajtën për 90 minuta në këtë sfidë, por pa mundur t’i jepnin të paktën një pikë skuadrës së tyre.