SPORT, 26 Gusht 2025, 21:22

Presidenti i Komos zbulon prapaskenat: Interi na kërkoi të niste bisedimet me Fabregas, nuk kemi objektiv kualifikimin në Europë

Presidenti i Komos zbulon prapaskenat: Interi na kërkoi të niste

Çesk Fabregas ka qenë një dëshirë e Interit dhe tashmë konfirmimi vjen edhe nga presidenti i Komos, Mirvan Suvarso. Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, ai ka folur për aktualitetin në klubin e tij, duke shpjeguar se nuk ishin thjesht thashetheme ato rreth Fabregas dhe dëshirës së zikaltërve për ta bërë atë trajner të parë dhe jo Kristian Kivun.

“Nuk është se kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme për ta mbajtur, ai nuk ka shfaqur kurrë dëshirën që të largohet. Interi kishte qasje profesionale, nuk u ndjeva i fyer nga ndërhyrja e tyre. Interi na kërkoi leje që të bënte negociata me të dhe ne ia mohuam. Por e kuptoj që nga jashtë kjo bisedë dukej si një telenovelë”, tha ai fillimisht.

Edhe pse Komo duket si një skuadër që mund të luftojë për Europën, presidenti i klubit bëri të qartë se ai nuk ishte objektivi kryesor.

“Ju siguroj që kualifikimi në Kupa nuk është mes objektivave të planit tonë industrial. Sigurisht nuk mund të ndjekim me çdo kusht rezultatin sportiv duke rrezikuar që të falimentojmë. Është e vërtetë që do të shtonim të ardhurat, por në mënyrë kontekstuale do të ishte e nevojshme krijimi i një skuadre më të fortë apo më të plotësuar për të përballuar më shumë kompeticione dhe më pas do të duhej edhe të respektonim parametrat e Fair Play Financiar.

Deri dy vite më parë ishim në Serinë B, ndaj ishte bërë e nevojshëm të ndërtonim një bazë për të zhvilluar sezonin në Serinë A. Tani do të vijë një pikë në të cilën pasi të kemi rritur të rinjtë tanë, duhet të shesim ndonjë, për të ndjekur një strategji të vetëfinancimit”, theksoi ai, duke zbuluar objektivat e qartë të klubit.