TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Supersfida e javës së 13-të të Serisë A ësh të ajo mes Juventusit dhe Interit, edhe pse nëse do të niseshim nga renditja, atëherë Atalanta-Napoli mund të quhej e tillë.
Në nisje të sezonit asnjë nuk e mendonte që dy të fundit do të kryesonin në këtë pikë kampionatin dhe Juvja do të gjendej 10 pikë larg vendit të parë, kurse Interi 8 me katër humbje në bilanc.
Jo vetëm sepse derbi i Italisë gjithmonë duhet fituar, por kjo ndeshje është në fakt treni i fundit për titullin për secilën prej skuadrave.
Me ritmin që po mban Napoli, çdo ndalesë e ekipeve të Alegrit apo Inzagit do ta dërgonte në kufijtë e të pamundurës vendin e parë dhe për të dyja kampet 90 minutat e nesërme duken një “tani ose kurrë” për të vazhduar të jenë pretendentë.
Por edhe pse ndajnë të njëjtin fat për sa i përket ecurisë në Serinë A, armët e tyre të betejës për nesër janë të kundërta, siç e konfirmojnë numrat.
Derbi i të kundërtave – Juventusi i gëzohet mbrojtjes më të mirë të kampionatit me vetëm 7 gola të pësuar dhe nëse marrim në konsideratë 10 kampionatet kryesore europiane, vetëm Barcelona me 4 gola në 12 ndeshje dhe Benfika me 5 në 11 të tilla, kanë pësuar më pak se bardhezinjtë.
Nga ana tjetër shifrat e Interit janë alarmante për sa u përket mbrojtjes, pasi në 12 javët e para të sezonit të Serisë A, Onana dhe Handanoviç e kanë nxjerrë topin 17 herë nga rrjeta, asnjëherë kaq shumë që nga 2011- 2012.
Jo vetëm kaq, por më shumë shqetësuese është performanca e prapavijës zikaltër në transfertë, që është më e dobëta e Serisë A.
14 prej golave janë pësuar në 6 transfertat e kampionatit, me një mesatare të frikshme prej 2.25 golash për ndeshje, më shumë se cilido ekip italian.
Por pavarësisht këtyre numrave, skuadra e Inzagit është e frikshme në krahun tjetër.
Sulmi zikaltër është sulmi i dytë më i mirë i kampionatit me 25 gola të shënuar (aq sa Milani) vetëm pas Napolit me 30 gola të shënuar. Në këtë drejtim, djemtë e Alegrit kanë zhgënjyer, pasi renditen të gjashtit në kampionat me 18 gola të shënuar dhe vetëm Roma ka bërë më keq mes të mëdhave, me 16 gola.
Lojtarët kyçë – Pikat e forta dhe të dobëta reflektojnë edhe filozofitë që aplikojnë të dy trajnerët. Një diferencë e dukshme në fakt në goditjet në kuadrat, me Interin të avantazhuar me 30 ndaj 25 të bardhezinjve, jo pak kur kanë kaluar vetëm 12 javë kampionat.
Bardhezinjtë janë para rivalëve, për sa u përket topave të rikuperuar dhe kontrasteve, një e dhënë që më shumë se me agresivitetin ndaj kundërshtarëve, është e lidhur me faktin që janë inferiorë në zotërimin e topit, diçka që i detyron të jenë më kërkues në fazën e rikuperimit.
Edhe nëse do të ndalemi tek individët, mund të dallojmë stilet e ndryshme të lojës. Asnjë prej lojtarëve të të dy skuadrave nuk krahasohet me dribluesit më të mirë të Serisë A, por gjithsesi Lautaro kryeson në absolut renditjen e atyre që e kanë tentuar më shumë herë portën.
Arsyeja edhe pse Interi është gjithmonë më i shpërndarë dhe ka krijuesit më të mirë të rasteve dhe asistuesit si në mesfushë (Barela 4 asiste, Çalhanoglu 3), ashtu edhe në krah, ku Dimarko ka krijuar plot 24 raste ofensive.
Për Juventusin është Vlahoviç mbreti i goditjeve, edhe pse pa saktësinë e duhur, pasi vetëm 12 nga 31 përpjekjet e tij kanë përfunduar në portë.
Cilësia torineze është e shpërndarë në krahë, aty ku Kuadrado ka krijuar 24 raste, aq sa Dimarko dhe ka dhënë 3 asiste, ndërsa Kostiç ka shënuar 1 gol dhe ka dhuruar 3 asiste.

