SPORT, 3 Nëntor 2022, 23:25

Bajern rekordesh, legjenda Oliver Kahn: Nuk e di nëse kemi rivalë! I kemi dhënë provat në Europë

Bajern rekordesh, legjenda Oliver Kahn: Nuk e di nëse kemi rivalë! I

Gjigantët nga Myni hu vazhdojnë të marshojnë të sigurt drejt objektivit, triumfit në Champions. Djemtë e Nagelsmanit janë shfaqur në versionin më të mirë këtë sezon në Ligën e Kampionëve, pavarësisht oshilacioneve në kampionat.

Finalizimi i suksesit ndaj Interit në “Allianz Arena” vendosi një rekord të ri në palmaresin e bavarezëve, si ekipi i vetëm që i fiton të gjitha takimet në fazën e grupeve në kompeticion më të rëndësishëm në rang klubesh përgjatë kontinentit të vjetër. Oliver Kahn u ka mëshuar me superlativa të tijve, madje duke ua bërë të qartë kundërshtarëve se Bajerni nuk ka rivalë, krahas pyetjes pas duelit me Interin se cili është ekipi më i fortë në Europë:

“Nuk e di se kujt mund t’ia adresoj këtë përgjigje, pasi jemi ne ata që i kemi dëfryer të gjithë në këto 6 javë Champions-i”, përfundoi mes buzëqeshjes CEO i klubit më të titulluar në Gjermani. Sezonet 2019-2022, 2021-2022 dhe 2022-2023 janë vitet ku bavarezët nuk kanë njohur rivalë dhe rezultat tjetër përveç fitoreve në grupet e Champions-it. Përgjatë sezonit aktual, hedhja e shortit u mendua se do të vendoste në provë sfiduese të besuarit e Nagelsmanit, por që mbeti thjesht një hipotezë interesante për t’u besuar, pavarësisht se në të ndodheshin emra të mëdhenj në arenën europiane si Barcelona dhe Interi.

Largimi i Robert Levandovskit drejt Barcelonës i shtoi dyshimet se kush do të zëvendësonte boshllëkun e golave të bomberit polak. Ekuacioni i ndërlikuar aq sa shkonte drejt së pamundurës u zgjidh nga arkitekti Julian Nagelsman, i cili pas nënshkrimit me Manenë, i dha prioritet grupit dhe jo emrave. Lojtarë si Musiala, Gnabri, Sane, Sadio dhe Çupo-Moting e çkoduan lehtësisht mbrojtjen e grupit të ferrit dhe marrjen e pikëve maksimale, aq më tepër pa pësuar asnjë gol ndaj zikaltërve dhe katalanasve, e përkthyer me 9 goditje të finalizuara në portë, me takim vajtje-ardhje.

Në total suksesi i 6 herë fituesit të trofeut më të lakmuar në Europë nga kampi i Gjermanisë, përtej 18 pikëve, përmblidhet edhe me 19 gola të shënuar (përfshi edhe golat ndaj Plzenit) dhe vetëm 2 të pësuar në fazën e grupeve të kompeticionit në fjalë në këtë sezon. Nuk mund të lihet mënjanë rekordi unik në Ligën e Kampionëve, sërish mbi fazën e evidentuar më lart, ku shkon në 34 numri i takimeve pa humbje radhazi dhe 107 gola të realizuar gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu tekniku 35- vjeçar i ardhur në vitin 2021 nga Lajpcigu gëzon rekord absolut me 100% fitore përgjatë dy sezoneve në grupet e Ligës së Kampionëve ku ai ka qenë pjesë në krye të Bajernit.