TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sabit Bilali është afrimi i parë i Partizanit në këtë merkato, por duhet të presë për debutimin e tij. Ai është 25 vjeç dhe vjen pas eksperiencës me Shkëndijën e Tetovës, e mbyllur jo në mënyrën më të mirë. Roli primar i tij është si mesfushor defensiv, por ai ka treguar se di të bëjë shumë mirë në të dyja fazat e lojës. Bilali u aktivizua në 11 ndeshje me Shkëndijën në këtë sezon dhe arriti të jetë edhe autor i një goli.
Ai nuk kishte minuta si titullar dhe u largua Tetova, teksa arriti të gjejë dakordësinë me drejtuesit e Partizanit, duke nisur kështu aventurën e tij të parë në Shqipëri. Bilali ka firmosur kontratë deri në fund të vitit 2024 me të kuqtë.
Në këtë sezon, mesfushori njihet më së shumti për një akt të dhunshëm në një ndeshje ndaj Akademia Pandev në kampionat, ku goditi fillimisht me grusht një nga kundërshtarët dhe si pasojë e hodhi në tokë. Ai nuk u mjaftua me kaq, por e goditi sërish me shqelm lojtarin e skuadrës tjetër, duke e rënduar akoma më shumë këtë akt të tij. 25-vjeçari u përjashtua nga ajo ndeshje, teksa më pas Komisioni i Disiplinës e dënoi me plot gjashtë muaj pezullim.
Ky vendim qëndron në fuqi edhe në vendin tonë, por fatmirësisht Partizani nuk do të presë aq shumë për debutimin e mesfushorit.
Episodi i dhunshëm ndodhi më 6 nëntor të vitit të shkuar dhe nëse marrim në konsideratë këtë datë, Bilali pritet të jetë i gatshëm për Kolelën vetëm në ndeshjen ndaj Bylisit më datë 11 shkurt.
Para kësaj, ai do të humbë gjashtë ndeshje, dy në Kupë ndaj Korabit dhe katër në kampionat ndaj Kastriotit, Teutës, Egnatias dhe Laçit. Fabian Shahaj, afrimi tjetër i të kuqve, pritet të jetë gati menjëherë ndaj Korabit.
Ai vjen në huazim nga holandezët e ADO Den Hag, ku aktivizohej me ekipin e dytë.
GIRESUNSPOR – Klubi i Ligës së Parë turke i ka Partizanit një borxh prej mbi 90 mijë eurosh. Të kuqtë fituan gjyqin në FIFA me Giresunsporin për Esat Malën. Në verën e vitit 2021 të kuqtë njoftuan transferimin e “Dardanit” te klubi në fjalë.
Në atë kohë palët ranë dakord që turqit të paguajnë vetëm taksën e formimit, konkretisht pak më shumë se 90 mijë euro, nga rreth 30 mijë euro në sezon për periudhën 2018-2021, kur Partizani kishte në pronësi kartonin e lojtarit të transferuar te Vllaznia në verën e shkuar.
Shuma për të cilën u ra dakord, nuk u pagua brenda afateve nga turqit dhe më pas Partizani i paditi në FIFA, që u dha të drejtë të kuqve.
Gjithsesi, Giresunspori nuk e ka shlyer ende borxhin prej 94500 eurosh, bashkë me interesat. Pasi u dogj afati i radhës, Partizani e ankimoi sërish në FIFA rastin dhe nga e premtja e javës që shkoi, turqve u është bllokuar merkatoja dhe e kanë të pamundur të afrojnë lojtarë në këtë dritare transferimesh.
E vetmja zgjidhje është nëse paguajnë paratë te “demat”.