SPORT, 27 Korrik 2022, 18:56

“Nuk e duam, ai përfaqëson antitezën e vlerave tona”, tifozët e Atletikos së Madridit dalin kundër Kristiano Ronaldos

“Nuk e duam, ai përfaqëson antitezën e vlerave tona”,

Sikur të mos mjaftonin fjalët e presidentit Enrike Cerezo se Atletiko Madrid nuk ishte i interesuar për Kristiano Ronaldon, edhe tifozët e klubit spanjoll kanë bërë të qartë mendimin e tyre kundër yllit portugez.

Grupimet e organizuara të tifozëve të Atletikos kanë dalë me një komunikatë zyrtare ku nuk kursehen ndaj Ronaldos, i cili në fakt u kthye në makthin e tyre në vitet te Reali dhe Juventusi.

Tifozët e kanë bërë të qartë se nuk duan që të kenë portugezin në radhët e klubit të zemrës, pasi nuk e shohin si një lojtar të denjë për të veshur atë fanellë.

“Manifestojmë kundërshtinë tonë absolute ndaj një afrimi të mundshëm te Atletiko Madrid të Cristiano Ronaldos, një lojtar që përfaqëson antitezën e vlerave që qëndrojnë në themelet e klubit tonë: shpirtin e sakrificës, bujarinë, thjeshtësinë dhe bashkimin. Cristiano nuk mund të fitonte kurrë as dashurinë dhe as mirënjohjen tonë. Ndaj i kërkojmë klubit që të mos e blejë në asnjë mënyrë”, theksohej në komunikatën e tifozëve të Atletikos që përfaqësojnë më shumë se 300 grupime të organizuara të mbështetësve të kësaj skuadre.