TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Jyrgen Klop e ka nxitur ekipin e tij që të përmirësohet ndaj Arsenalit të rilindur, ndërkohë që Liverpuli ka fituar vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e fundit të Premier Ligës. Sot në “Anfield Road” java e 12-të e Premier Ligës luan ndeshjen më të rëndësishme, me “Reds”- at që vijnë pas humbjes së parë sezonale kundër Uest Hemit dhe barazimit në shtëpi me Brajtonin.
Pavarësisht se Liverpuli është vetëm -4 pikë nga Çelsi kryesues, tekniku gjerman tha në konferencën e djeshme për shtyp se nuk mund të tolerohen gabime ndaj skuadrës së Mikel Artetës, pavarësisht se londinezët do të kërkojnë fitoren e parë në “Anfield” në 9 vite. Liverpuli i ka fituar pesë ndeshjet e fundit të Premier Ligës në shtëpi kundër “Topçinjve”, duke shënuar të paktën tre gola në secilën ndeshje. Ata triumfuan me një golavarazh të përgjithshëm 18-4 në këto takime.
“Për të qëndruar pranë kreut të kampionatit të duhen rezultatet dhe në javët e fundit ne nuk i kemi pasur shumë të mira, – pranoi Klop.
– Ne humbëm kundër Uest Hemit, por edhe një barazim nuk është se do ta kishte përmirësuar situatën. Prandaj ne e dimë që duhet të luajmë mirë dhe luftojmë, sepse Arsenali është një skuadër e mirë. Por ne luajmë në shtëpi dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë”.
Teknikut i kanë ardhur të dëmtuar nga kombëtaret kapiteni Xhordan Henderson dhe mbrojtësi Endrju Robertson, për të cilët tha se do të vendosë vetëm sot për t’i grumbulluar apo jo. Kur u pyet nëse pushimi i kombëtareve e ndihmon apo e pengon në përgjithësi skuadrën e tij, Klop nuk la dyshime me përgjigjen:
“Jo, unë i urrej pushimet e kombëtareve. Më ndihmoi nga pikëpamja e rikuperimeve, por përgjithësisht lojtarët do të kishin pasur dy ditë pushimi, ndërkohë që me ekipet kombëtare stërviten gjatë gjithë kohës”.