SPORT, 20 Nëntor 2021, 12:57

Bomba e Laportës, plan sekret për të “rrëmbyer” Mbapenë

Bomba e Laportës, plan sekret për të “rrëmbyer”

Që Reali i Madridit kërkon Kilië Mbapenë nga PSG-ja dhe është gati të firmosë me yllin francez duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, ky nuk është sekret. Prej muajsh klubi madrilen po përpiqet të bindë sulmuesin të firmosë me ta, duke u përplasur shpesh me PSG-në.

Por, në këtë skenar tresh mund të ketë dhe një të ftuar të pakëndshëm. Dhe emri i këtij të paftuari është Joan Laporta, presidenti i Barcelonës. Të paktën këtë kanë bërë me dije mediat spanjolle që nënvizojnë se numri një i klubit “blaugrana” ka thurur një plan sekret për t’i rrëmbyer Kilië Mbapenë Realit të Madridit.

Sipas gazetarit të “Cadena SER”, Mario Torrehon, presidenti i Barcelonës si ka treguar miqve të afërt të tij që po bën përpjekjet maksimale për të marrë Mbapenë nga Parisi. Këto ditë, presidenti i Barcelonës ka qenë mjaft euforik. Veçanërisht kjo ka ndodhur pas rikthimit të Ksavit në klub si trajner i ekipit, por dhe i mbrojtësit Dani Alvesh.

Pikërisht gjatë prezantimit të brazilianit, trajneri i Barcelonës ka shfrenuar fantazinë e tij, duke deklaruar se është gati të kthejë në klub edhe Lionel Mesin dhe Andres Iniestën, pa dyshim dy ikona të këtij klubi.

“Laporta duket i vendosur dhe jo më kot i ka rrëfyer miqve të tij të afërt se kërkon të futet mes Parisit dhe Realit për Mbapenë. Në fakt, më duket disi e çuditshme në një kohë që klubi përballet me probleme të mëdha financiare”, ka thënë gazetari Torreho. Por, ndërsa lajmet nga mediat spanjolle flasin dhe për një interesim të Barcelonës për Kilië Mbapenë, nga ana tjetër në Madrid duken të qetë.

Presidenti i Realit, Florentino Perez, duket shumë i bindur se sulmuesi i PSG-së dhe kombëtares franceze e ka marrë vendimin e tij për të luajtur me ekipin mbretëror. Ndaj, ai është shfaqur tepër i qetë këto ditë. Por, nëse Barcelona vërtet do të futet në garë, ndoshta numri një i Realit duhet të bëjë mirë të shqetësohet disi.