SPORT, 29 Qershor 2022, 09:13

Një Luan nga Brazili, ja prapaskenat te Partizani me sulmuesin e Milanit

Një Luan nga Brazili, ja prapaskenat te Partizani me sulmuesin e Milanit

Pasi vendosën të mos ndjekin pistën që i çonte tek Andrej Solovej i Shaktjor Soligorskut, te Partizani janë vënë seriozisht në lëvizje për të firmosur me një talent në pronësi të Milanit.

Të kuqtë e kërkojnë me ngulm një sulmues tipik qendre dhe mes disa alternativave kanë zgjedhur Luan Kapanin.

Nga emri duket si një shqiptar normal i lindur rreth viteve ‘70-‘90, por ky është thjesht një iluzion, sepse Luani është vetëm 22 vjeç dhe ka lindur në Sao Paolo të Brazilit. I riu luan si qendërsulmues tipik dhe kjo dallohet qartë edhe nga shtatlartësia e tij prej 190 centimetrash.

PRAPASKENAT – Që nga viti 2019 sulmuesi është në pronësi të Milanit dhe ka kontratë me kuqezinjtë deri në verën e ardhshme.

Aktualisht vazhdojnë bisedimet mes Partizanit dhe kuqezinjve në lidhje me mënyrën e transferimit të Kapanit. Milani kërkon të mbajë një përqindje të kartonit të të riut në rast se Partizani arrin ta shesë në të ardhmen.

Nga ana tjetër, pavarësisht se ka shprehur një miratim fillestar, lojtari ende nuk ka vendosur përfundimisht për alternativën e të transferuarit në Kategorinë Superiore, por për hir të së vërtetës as opsionet në tavolinën e tij nuk janë aq prestigjioze, duke parë atë që ai ka bërë në sezonin e fundit në Serinë C.

Fakti që Superiorja ka rezultuar një trampolinë shumë e mirë për shumë lojtarë të tjerë në vitet e fundit, e bën 22-vjeçarin ta shohë me sy të mirë kalimin te Partizani, që para pak vitesh mori në huazim Kaleb Ekubanin dhe i dha një tjetër udhë karrierës së ganezit, i cili aktualisht është pjesë e Xhenoas në Serinë A.

Shembuj të tjerë janë pa dyshim edhe Amir Rrahmani apo Ylber Ramadani, me Partizanin, që i ka dhënë sprintin e duhur për të mbërritur në arenën e madhe të futbollit europian.

Bisedimet mes palëve pritet të marrin kohë, pasi me klube të mëdha si Milani nuk është e lehtë të negociosh për t’i marrë lojtarët.

KARRIERA – Kapani është një lojtar i rritur në klube, që furnizojnë një pjesë të madhe të futbollit europian me talente. Hapat e parë ai i hodhi te gjigantët brazilianë të Flamengos, ku luajti deri me ekipin U20 të tyre.

Ai që i dha shansin e parë në Europë ishte pikërisht një shqiptar, Igli Tare. Në vitin 2018 Kapani u bashkuame ekipin e Lacio U-19.

Sezoni i parë në Romë ishte mjaft pozitiv, pasi braziliani u bë autor i 13 golave me ekipin e të rinjve, duke fituar edhe debutimin në Serinë A me Lacion, që i dha shansin të luante 8 minuta në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Torinos në vitin 2019, kur zëvendësoi Radunë në minutën e 82-të, teksa pas vetëm pak sekondash në fushë u ndëshkua me karton të verdhë.

Pas aventurës pozitive me Lacion, ai u transferua si lojtar i lirë te Milani. Ai është te kuqezinjtë prej tri vitesh, dy prej të cilëve i ka kaluar në huazim.

Fillimisht kaloi te Rejsing Santander në Spanjë, ku në 9 ndeshje nuk shënoi asnjë gol, e më pas në sezonin, që sapo u mbyll luajti te Viterbeze dhe Groseto në Serinë C. Në këto dy aventura 6-mujore, ai luajti 31 ndeshje në kampionat dhe shënoi 3 gola.