SPORT, 28 Qershor 2025, 11:53

Mourinho bllokon transferimin e Jadon Sancho te Fenerbahçe, ja arsyeja

Mourinho bllokon transferimin e Jadon Sancho te Fenerbahçe, ja arsyeja

Jadon Sancho nuk do të transferohet te Fenerbahçe, dhe pas këtij vendimi qëndron pikërisht trajneri José Mourinho.

Sipas asaj që raporton e përditshmja turke Fanatik, presidenti i klubit, Ali Koç, ishte i interesuar për të sjellë në skuadër yllin anglez të Manchester United, i cili sezonin e kaluar u huazua te Chelsea. Megjithatë, pas një bisede të trajnerit portugez me kolegun e tij Ruben Amorim, Mourinho vendosi të ndërpresë çdo negociatë.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se Mourinho u informua për qëndrimin dhe përkushtimin e diskutueshëm të Sancho, për të cilin thuhet se "nuk ka shumë dëshirë për të punuar dhe luajtur". Ky qëndrim nuk përputhet me filozofinë e trajnerit të Fenerbahçes, i cili insiston në ndërtimin e një ekipi me futbollistë profesionistë dhe të përkushtuar.

“Nuk dua lojtarë që vijnë në Turqi vetëm për para, pa asnjë ndjenjë lojaliteti ndaj klubit,” citohet të ketë thënë Mourinho, sipas Fanatik.

Sancho, aktualisht me kontratë të vlefshme te Manchester United deri në vitin 2026, ka një vlerë prej 28 milionë euro sipas Transfermarkt. Në sezonin e fundit me Chelsean, ai regjistroi 5 gola dhe 10 asistime në 42 paraqitje.