SPORT, 26 Qershor 2025, 15:56

Gjermanët, akuza katalanasve: Ter Shtegenin e hodhën në kosh!

Gjermanët, akuza katalanasve: Ter Shtegenin e hodhën në kosh!

Situata e Mark-Andre ter Shtegen te Barcelona ka ndezur kambanat e alarmit në Gjermani. Pas njëmbëdhjetë vitesh në klub, portieri gjerman mund të jetë duke jetuar ditët e tij të fundit si lojtar i Barçës pas nënshkrimit të Joan Garsias.

Ish-lojtari i kombëtares gjermane, Mario Basler, ishte më i zëshmi në programin “Spotlight” të “Sport1”.

“Kjo është ajo që ndodh këto ditë. Nëse je i dëmtuar dhe nuk shihesh më si i nevojshëm, të hedhin si një qese plehrash”. Për ish-lojtarin e Bajernit, largimi i Ter Shtegenit është i pashmangshëm: “Nuk është surprizë. Ai nuk do të ketë asnjë shans atje dhe, madje, po rrezikon vendin e tij në ekipin kombëtar. Ai do të duhet të kërkojë diçka tjetër nëse dëshiron të jetë numri një në Kupën e Botës 2026”.

Basler gjithashtu kritikoi Barçën dhe theksoi se kontratat nuk vlejnë më asgjë nëse një klub vendos ta lërë një lojtar të shkojë. Pavarësisht se ka një kontratë deri në vitin 2028 dhe është kapiten i ekipit, Ter Shtegen përballet me një të ardhme shumë të ndërlikuar te Barcelona. Deco, drejtori sportiv i klubit, ishte i prerë në deklaratat e tij për “La Vanguardia”.

“Nuk kam pse të flas me të. Detyra ime është të ndërtoj ekipin më të mirë të mundshëm për trajnerin. Nuk ka kontratë që thotë se duhet të luash pavarësisht gjithçkaje”, deklaroi ai. Ajo që është e qartë është se e ardhmja e tij e menjëhershme është çelësi për të ruajtur rolin e tij si numri një në ekipin kombëtar.