SPORT, 27 Qershor 2025, 20:45

Skuadrat e Premier Ligës “sherr” për Gyokeres, sulmuesi ka njërën prioritet

Skuadrat e Premier Ligës “sherr” për Gyokeres, sulmuesi ka

Se ku do të luajë sezonin e ardhshëm Viktor Gyokeres, kjo nuk mund të thuhet ende me siguri.

Por, është më se e qartë se po bën të “grinden” skuadrat e Premier Ligës, pasi destionacioni i preferuar nga sulmuesi është futbolli anglez. Së fundi, për suedezin sinjalizohet një kontakt që ka pasur Liverpuli me agjentët e tij, natyrisht për ta pasur si një përforcim të rëndësishëm në sulm. Lajmi është raportuar nga gazeta portugeze “Correio da Manha”, ndonëse nuk është se gjen vërtetim në mediat britanike, që nga ana e tyre vazhdojnë të shohin një duel mes Mançester Junajtid e Arsenalit. Mirëpo, vetë lojtari duket se e ka bërë një zgjedhje…

ZGJEDHJA E SUEDEZIT – Kështu, sipas anglezes “The Mirror”, Gyokeres e ka vendosur Junajtid në “pole-position”. Duket se sulmuesi suedez ka ndryshuar mendje, duke e lënë mënjanë Arsenalin dhe ka bërë prioritet pikërisht një ribashkim me Ruben Amorim në “Old Trafford”. Gyokeres, 27 vjeç, vijon të jetë në “zemër” të sagës më të rrëmujshme të transferimeve të verës. Ai mezi pret të largohet nga Sporting Lisbona, pasi shënoi 54 gola në 52 ndeshje sezonin e kaluar. Suedezi ka shprehur dëshirën për ta testuar veten në një nga ligat më të mëdha të Europës, por nuk ka hasur klube që të paguajnë shumën e çmendur prej të paktën 80 milionë eurosh, që kërkohet prej Sportingut.

SITUATA ME SPORTINGUN – Klubi portugez këmbëngul se nuk ka marrë asnjë ofertë. Ndërsa presidenti i tij, Frederico Varandas, ka akuzuar agjentin e lojtarit se ka pretenduar në mënyrë të rreme se Sportingu do të pranonte 65 milionë euro për ta shitur lojtarin, si pjesë e një të ashtuquajture “marrëveshjeje zotërinjsh”. Menaxherët e Gyokeres besojnë se Sportingu po kërkon shumë para, për një lojtar që ka shënuar 97 gola në 102 ndeshje që kur u transferua në Portugali nga Coventry City, dy sezone më parë. Si i tillë, ka pasur një grindje të madhe midis dy palëve dhe pretendime se Gyokeres nuk do të kthehet për fazën parasezonale. Pak kohë më parë, ai refuzoi ofertën e ardhur nga Arabia Saudite nga Al-Hilal, pasi dëshiron ende të luftojë në nivelet e larta të futbollit europian.