SPORT, 16 Janar 2022, 10:21

Tenistit Djokovic i anullohet përfundimisht viza, merr fund shpresa për të marrë pjesë në "Australian Open"

Tenistit Djokovic i anullohet përfundimisht viza, merr fund shpresa

Pas vendimit unanim për të hedhur poshtë ankesën e Djokovic për anulimin e vizës nga ministri i emigracionit në Australi, tenisti serb ka reaguar për herë të parë duke thënë se respekton vendimin e Gjykatës, por se është i zhgënjyer dhe se tani do të shkojë të pushojë:

“Do të marr pak kohë për të pushuar dhe rikuperuar, përpara se të bëj ndonjë koment të mëtejshëm përtej kësaj. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me vendimin që hodhi poshtë ankesën kundër anulimit të vizës sime.

Kjo do të thotë që nuk mund të qëndroj në Australi dhe të marr pjesë në ‘Australian Open’. Unë respektoj vendimin e Gjykatës dhe do të bashkëpunoj me autoritetet kompetente në lidhje me largimin tim.”, përfundoi Novak Djokovic

Në kompeticionin e njohur “Australian Open” është vendosur që në vendin e Djocovic të përfshihet italiani Salvatore Karuzo, numri 150 në botë, i cili ishte mundur në eliminatoret nga japonezi, Taro Daniel.

Saga Djokovic ka qenë nën vëmendjen e të gjithë mediave, pasi tenistit iu anullua viza, për shkak se nuk është vaksinuar kundër koronavirusit.