SPORT, 15 Janar 2022, 23:10

Juventusi bën detyrën në kampionat, mposht pastër Udinezen

Juventusi bën detyrën në kampionat, mposht pastër Udinezen

Juventusi ka bërë detyrën në kampionat, duke mposhtur Udinezen me rezultatin 2-0 në sfidën e vlefshme për javën e 22-të të Serisë A.

Bardhezinjtë e Alegrit, lanë pas disfatën në sekondat e fundit në Superkupën e Italisë ndaj Interit, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat. Triumf ky që i ngjit në kuotën e 41 pikëve. Po aq sa Atalanta e vendit të 4-t që ka dy ndeshje më pak.

Golat në sfidë ndaj Udinezes, u realizuan nga Dibala dhe MeKeni. Fillimisht, pas një kombinimi perfekt me sulmuesin Moise Ken, argjentinasi nuk fali brenda zonës ku me të majtën e dërgoi topin në trekëndëshin e portierit mik, Padeli. 45 minutat e para folën për Juventusin, që e mbylli fragmentin e parë në epërsinë e një goli.

Në pjesën e dytën, më saktësisht në minutën e 79-të ishte radha e mesfushorit amerikan për të tundur rrjetën, duke realizuar golin e fitores. Për sa i përket sfidës së radhës, Juventusi do të ndeshet me Milanin, në një përballje e gjitha për t’u shijuar.