SPORT, 11 Nëntor 2023, 22:41

FSHF del me sqarim publik për vdekjen e Duamenës: U zbatua me rigorozitet rregullorja e garës

FSHF del me sqarim publik për vdekjen e Duamenës: U zbatua me

Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një sqarim publik për situatën e rëndë që ndodhi sot në Rrogozhinë, ku pas një kolapsi në fushë, humbi jetën futbollisti i Egnatias, Rafael Duamena.

Në sqarimin e saj, organizata që drejton futbollin në vendin tonë, bëri të ditur se ishte ndjekur çdo procedurë sipas protokollit për raste të tilla, në fushën e lojës dhe në spital më pas ku ishte dërguar lojtari i cili u nda nga jeta në mënyrë tragjike në moshën 28-vjeçare.

Sqarim për median dhe opinionin publik!

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë opinion publik në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rrogozhinë gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani, ku futbollisti Raphael Dwamena ra pa ndjenja në fushën e lojës dhe më pas ndërroi jetë.

Në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës është respektuar me rigorozitet rregullorja e garës. Në gatishmëri ka qenë një ambulancë e pajisur me defibrilator dhe të gjitha aparaturat e nevojshme mjekësore si edhe dy doktorë. Futbollistit i është dhënë menjëherë ndihma e shpejtë në fushë dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore.

Mjafton të sjellim në vëmendje disa raste të fundit për të dëshmuar se rregullorja zbatohet në përpikmëri në aspektin mjekësor në çdo rast. Në ndeshjen e dy javëve më parë, Skënderbeu-Egnatia, stafi mjekësor dhe ambulanca kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë një tifozi që kishte probleme shëndetësore, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar më pas në spital. Ndeshja është ndërprerë për 15 minuta dhe vetëm pas kthimit të ambulancës në stadium, delegati ka pranuar që loja të rifillojë.

Në ndeshjen Tirana-Laçi të kampionatit të moshave U17 të datës 10.11.2023 është ndërprerë loja në minutën e 25-të për 30 minuta pasi është dëmtuar një lojtar i Tiranës në kokë. Është dashur ndërhyrja e ambulancës për ta transportuar në spital dhe vetëm pas kthimit të ambulancës dhe stafit mjekësor ka vazhduar loja.

Në Kategorinë e Dytë, ndeshja Adriatiku-KKS Albanët e datës 28.10.2023 nuk është zhvilluar, pasi ekipi KKS Albanët nuk kishte mjek.

Në Kategorinë e Parë, ndeshja e datës 6 nëntor mes Tomorrit dhe Burrelit është ndërprerë pasi është dërguar në spital një lojtar i Burrelit pas dëmtimit në kokë dhe më pas sërish ka rifilluar me rikthimin e stafit mjekësorë dhe ambulancës.

FSHF u bën thirrje disa mediave, disa individëve të caktuar dhe opinionit publik për këtë ngjarje të rëndë të mos bëjnë raportime të papërgjegjshme dhe të pabazuara në fakte për të shfrytëzuar këtë tragjedi.