SPORT, 22 Korrik 2025, 14:04

Flik bën “skartimet” e para te Barcelona, tre lojtarë janë në pritje të rinovimit

Flik bën “skartimet” e para te Barcelona, tre lojtarë

Barcelona e nisi fazën përgatitore me 36 lojtarë të dielën e kaluar, më 13 korrik, duke përfshirë lojtarë të ekipit të parë dhe të të rinjve. Plani i Hansi Flik është të marrë rreth 26 lojtarë në turneun aziatik, që fillon të enjten.

Dhe për këtë arsye, ai do të duhet të largojë disa lojtarë në ditët në vijim. Për momentin, këtë të hënë në mëngjes, Barcelona njoftoi se Jan Virgili, Landri dhe Huan Hernandez do t’i bashkohen “Barça Atlètic”, që fillon sot përgatitjet. Prandaj, pas një jave pune nën drejtimin e trajnerit gjerman, këta janë tre lojtarët e parë që do të largohen.

Gujermo, Toni Fernandez, Jofre, Pedro Fernández dhe Roni, të cilët iu bashkuan javën e kaluar nga Kopenhageni, janë lojtarët që mbeten nën komandën e Hansi Flik. Vlen të kujtojmë se Ibrahim Diarra filloi ndeshjet parasezonale me ekipin e parë, por të shtunën pësoi një këputje të muskulit rectus femoris në këmbën e djathtë dhe është jashtë loje. Prandaj, nga 36 lojtarët që filluan stërvitjen, tani kanë mbetur 33. Numri do të shkojë në 34 me ardhjen e Rashford.

Kjo do të thotë që Hansi Flik do të duhet të bëjë ende tetë skarcime, dhe një prej tyre mund të jetë i dëmtuari Ter Shtegen, i cili pritet gjithashtu të marrë një vendim përfundimtar këtë javë nëse do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të adresuar problemet me shpinën që ka përjetuar në fillim të përgatitjeve verore.

RINOVIMET – Por Barcelona vazhdon të punojë edhe në një drejtim tjetër, atë të rinovimeve. Më 7 korrik, Barcelona rinovoi kontratën me portierin Vojçek Shezni për dy sezone. Polaku është ende në pritje të një marrëveshjeje transferimi dhe të regjistrimit në La Liga, diçka që Barça do ta arrijë lehtësisht para fillimit të sezonit më 16 gusht kundër Majorkës. Kontrata e portierit nuk është i vetmi rinovim që drejtorët sportivë të klubit, të udhëhequr nga Deko, do të donin ta finalizonin para fillimit të garës. Dy nga lojtarët, kontratat e të cilëve skadojnë më 30 qershor 2026, duhet të mbërrijnë sa më shpejt.

Ata janë Frenki de Jong dhe Erik Garsia. Mesfushori holandez, i cili nga “në dyshim” është bërë “i padiskutueshëm” dhe një lojtar i rregullt për Hansi Flikun, mori një ofertë rinovimi trevjeçare nga Barça disa kohë më parë. De Jong, i cili ishte i pakënaqur me drejtorin e mëparshëm sportiv, tani po mendon vetëm të qëndrojë te Barça dhe vazhdimësia e tij merret si e mirëqenë. Gjithçka është në pritje të një çështjeje personale, siç e shpjegoi vetë presidenti Laporta në atë kohë. Nuk është gjë tjetër veçse ndarja e tij me përfaqësuesin e tij të hershëm, Ali Dursun. Kur ta arrijë këtë, ai do të nënshkruajë me Barçën me një agjent të ri.

Rinovimi i tij është i rëndësishëm për klubin edhe në kuadër të “fair play financiar”. Erik Garsia është gjithashtu i sigurt për vazhdimësinë e tij në Barcelonë. Qendërmbrojtësi i lindur në Martorel ka edhe një vit në kontratën e tij dhe shpreson të nënshkruajë një të re sa më shpejt të jetë e mundur. Ai nuk është në shitje nga Flik, i cili ka kërkuar një rinovim. Lojtari gjithashtu e dëshiron atë. Në fund është dhe Zhyl Kunde, rinovimi i të cilit duhet të mbërrijë gjithashtu para fundit të vitit. Francezi ka një kontratë deri më 30 qershor 2027, por performancat e tij të shkëlqyera kërkojnë një përmirësim dhe zgjatje të kontratës, duke pasur parasysh se ai gjithmonë ka qenë një lojtar i kërkuar në Angli.