SPORT, 21 Korrik 2025, 19:43

Mançester Junajtid i bindet Amorim, “nxjerr në rrugë” katër yjet e padëshiruar nga trajneri

Mançester Junajtid i bindet Amorim, “nxjerr në

Ruben Amorim u ka mbyllur përfundimisht derën 4 futbollistëve, të cilët klubi i ka njoftuar që nuk do të jenë pjesë e turneut në SHBA ku “djajtë e kuq” do të udhëtojnë për të përgatitur sezonin e ri. Në fakt, janë 5, por Markus Rashford tashmë është në Barcelonë për të firmosur me katalanasit.

Amorim i ka bërë të qartë drejtuesve se nuk ka në planet e tij Alehandro Garnaço, Xhedon Sanço, Antoni dhe Tyrell Malacia, duke udhëzuar që të gjendet sa më parë një sistemim për ta.

Futbollistëve u është bërë e ditur se nuk do të udhëtojnë me ekipin, por duhet të stërviten në ambientet e klubit në Angli me një program të caktuar derisa të gjendet një destinacion i ri.

Disa prej tyre janë në bisedime me klube të tjera, si Sanço me Juventusin, ndërsa Mançester Junajtid është bërë gati të lejojë lojtarët të largohen. Edhe pse kjo nënkupton se do të pësojë humbje të mëdha ekonomike, pasi i ka blerë me shifra të larta, e do të fitojë shumë pak nga largimi i tyre.