TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një konferencë për mediat, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli për disa pika të rëndësishme të futbollit në vendin tonë. ai e nisi me futbollin e femrave, duke theksuar se Federata po e financon, ndërsa gjithashtu foli dhe për postin e trajnerit të Kombëtares, por edhe për problemet e Superiores.
“Është prioritet i Federatës, duhet të jetë dhe prioritet i shoqërisë në përgjithësi, që futbolli nuk është vetëm lojë mashkullore, por është sport i të gjithëve. Duke pasur parasysh prapambetjen në këtë llojë futbolli në Shqipëri, kohën e vonë në të cilën ka filluar, vetëm në vitin 2008, ne shtymë akoma më shumë, financojmë akoma më shumë dhe mbështesim akoma më shumë futbollin e vajzave, pra siç thashë që ta bëjmë të barabartë me të djemve. Futbollin për fëmijë, i cili na siguron të ardhmen. këto të dyja janë prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Mbështesim futbollin e vajzave, me pagesa direkte për të gjithë futbollistet e kategorisë Superiore.
Përveç pagave që paguan Federata, prandaj ka dhe më shumë sukses dhe mbështetje financiare nga presidenti Matija. Paga të barabarta për të gjitha ekipet e Shqipërisë, për të gjitha ekipeve të krijuara, ekipeve të vajzave nëpër shkolla. Meqë jemi në rastin e një suksesi të paparë, ne do të kemi dhe një bonus ekstra për rezultatin që kanë arritur deri tani, edhe pse jo bonuse të tjera. Nuk është hera e parë që kemi dhënë bonuse për ekipin e Vllaznisë së vajzave. Më vjen mirë që ekipi i vajzave në Shkodër është bërë më i rëndësishëm se ekipi i djemve.
Koha për të mësuar është gjithmonë, mund të mësojmë të gjithë nga njëri-tjetri. Vajzat nga djemtë e djemtë nga vajzat. Jo vetëm në futboll, por në çdo profesion. Shkodra është djepi ku ka lindur futbolli në Shqipëri dhe përsëri vazhdon të jetë ashtu. Edhe klubi i djemve ka rezultatet shumë pozitive. Në vitin e kaluar ishte fituesi i Kupës së Republikës, ishte pothuajse fituesi i kampionatit një vit më parë, por e humbi me golavarazh. Sërish po bën mirë në garën për titull. Nuk mund ta zbehim futbollin e meshkujve dhe historinë e tij dhe për ekipin aktual. Duhet të vëmë në dukje dhe këtë supersukses të vajzave shkodrane.
Do të ishte fantastike nëse tabela do të shënonte Vllaznia 2, Reali i Madridit 0. Do ta kemi një kartolinë që do ta mbajmë në shpinë të gjithë shqiptarët. Ajo që i kam sugjeruar gocave është që të kënaqen me këtë arritje, pa e konsideruar si një shëtitje turistike. Ta konsiderojnë si një garë që kanë akoma për të marrë.
Ne mbështesim çdo vajzë dhe djalë që luan futboll në Shqipëri. Të gjitha ekipet e djemve dhe vajzave janë të ftuar dhe të lirë që të marrin pjesë në garat e Shqipërisë, por jo të gjithë në një kategori. Në gara të ndryshme. Nuk ndodh që t’i mbyllet dera asnjë ekipi. Pastaj nëse ka ndonjë ekip vajzash skhkodrane që kanë emër tjetër, nuk kam informacion. Nëse janë vajza që janë transferuar në një klub tjetër, nuk kam informacion.
Trajneri Reja ka një kontratë deri në fund të nëntorit. Do ta respektojmë atë kontratë. Padyshim që do të ulemi të bisedojmë me të dhe nëse do të kemi apo jo një rinovim për edicionin e ardhshëm. Do të bëjmë bilancet bashkarish. Është një trajner me eksperiencë, është një burrë 77 vjeç e 2-3 ditë dhe ka arsyen e logjikën e plotë për ta arsyetuar bashkë me ne, nëse duhet ta rinovojmë këtë kontratë ose jo. Ajo që është e rëndësishme është që Edi Reja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin, apo progresin në ekipin Kombëtar. Padyshim që shumë nga tifozët, ose shumë nga opinionet nuk janë kënaqur ose nuk kanë arritur pritshmëritë me edicionin e fundit të Ligën e Kombeve. por duhet ta kemi memorien pak më të gjatë.
Me në krye Edi Reja në ekipin Kombëtar ka dalë në vend të parë në Ligën e Kombeve, në Ligën C. Tani në Ligën B padyshim që gjërat do të ishin më të vështira, sepse është një nivel më lartë. A kishim mundësi për të arritur më shumë? Po, kishim. Duhet të kishim dhe më shumë fat. Duhet të kishim dhe më pak mungesa. Por dhe vendi i tretë në eliminatoret e Botërorit, në drejtimin e Rejës. 18 pikë në kualifikueset e Botërorit nën drejtimin e Rejës. Në historinë e Shqipërisë nuk i kemi grumbulluar kurrë edhe kur morëm pjesë në EURO 2016. Nëse shohim nga sot dhe para 3 vitesh, ka më shumë se 7 futbollistë në fushë, që nuk kanë qenë kështu. Kështu që ky bilanc duhet të bëhet në fund të kontratës. Duke parë dhe dëshirën e tij. duke parë dhe kundërshtarët në Europian, do të marrim dhe vendimin më të mirë për ekipin Kombëtar. Ajo që duhet të mendojmë është ekipi Kombëtar dhe asgjë tjetër.
Di Biaxho? I kemi ofruar dikur postin e drejtorit teknik në Federatë, kemi biseduar me të në ditën e finales së Konferencë Ligës në Tiranë dhe për këtë arsye emri i tij është lakuar si trajner. Realisht ne nuk kemi kontaktuar asnjë trajner tjetër për edicionin e ardhshëm.
Trajner shqiptar? Pse vetëm Ilir Daja? Mund të jetë Ilir Daja, mund të jetë Mirel Josa, mund të jetë Alban Bushi, ka shqiptarë të aftë. Të gjithë këto do të vihen në diskutim në Federatë dhe do të dalin me propozimin më të mirë.
Projekti i Federatës është lançuar është publikuar. Çdo lloj ambienti të ri që na vjen në dispozicion, ne financojmë 50% për të bërë fushë futbolli. Bardh Spahin e falënderoj shumë për 1-2 ose dhe më shumë ambiente. Ne mbështesim çdo lloj projekti, pa kushte, qoftë për bar artificial, qoftë për bar natyral. Por vetëm për fushë futbolli. Është mungesa e inventarit të fushave të futbollit, jo kualitetit. Janë shumë të pamjaftueshme për Shkodrën. Shkodra ka nevojë minimumi dhe për 10 fusha të tjera. Dhe nëse Bashkia e Shkodrës apo çdo lloj individi na vë në dispozicion 10 apo 15 fusha, ne jemi gati të financojmë 50% të tyre.
Rënie të Superiores? Është subjektive. Dikush thotë është më i dobët, dikush thotë është më lartë. Nuk ka një njësi matëse, që të na japë fiks, nëse është më mirë apo më keq. Unë mendoj se është më mirë. tifozët janë gjëja kryesore për futbollin, prania e tyre është e domosdoshme në stadium. Një thirrje miqësore do t’ia bëja. Mbështesni skuadrën, bëni gjithçka. Kishte një derbi të mbushur plot, por dëmtuan 300 karrige të tjera në “Air Albania”. Ashtu siç e kanë mbushur ekipin e tyre në “Air Albania”, ashtu duhet të mbështesin ekipin e tyre, njëri Tiranën e tjetri Partizanin, të kënaqen me atë që japin skuadrat dhe padyshim të jenë kritik”, u shpreh Duka.