SPORT, 18 Dhjetor 2021, 22:19

Barcelonën e shpëtojnë adoleshentët, festojnë Vallecano dhe Villareal

Barcelonën e shpëtojnë adoleshentët, festojnë Vallecano

Barcelona u falet futbollistëve të rinj për fitoren 3-2 kundër Elche. Një ndeshje plot emocione, që nisi në mënyrë fantastike për skuadrën e Xavi.

Jutgla dhe Gavi shënuan dy herë para minutës së 20-të dhe u mendua që kjo ndeshje përfundoi sapo nisi. Pas një ore lojë, Tete Morente dhe Milla shënuan dy gola për një minutë dhe barazuan gjithçka.

Shokuese ajo që ndodhi, por Barcelona e mblodhi veten dhe në minutën e 85-të shënoi me 19-vjeçarin e ekipit të dytë, Nico, dhe mori tri pikët që e afrojnë me zonën europiane.

Rayo Vallecano, me Ivan Balliun në fushë për 90 minuta, nuk ka falur në shtëpi kundër Alaves dhe për momentin renditet në vendin e katërt me 30 pikë. Ky duel u zgjidh shumë shpejt, pasi Guardiola e Catena realizuan dy gola pa u bërë 30 minuta lojë.

Villareal ka marrë fitoren e dytë radhazi, këtë herë kundër Real Sociedad që del e mposhtur në ndeshjen e katërt rresht.

“Nëndetësja e verdhë” fitoi me përmbysje me rezultatin 3-1. Isak ishte ai që shënoi për skuadrën baske, por Moreno u kundërpërgjigj me dy gola të shënuar. Chukweze realizoi edhe të tretin në shtesë.