SPORT, 17 Dhjetor 2021, 22:09

Një 17-vjeçar ndalon vrullin e Vllaznisë, Dinamo i jep fund serisë së humbjeve

Një 17-vjeçar ndalon vrullin e Vllaznisë, Dinamo i jep fund

Dinamo ka ndalur sot Vllazninë në një barazim 0-0, duke i dhënë fund serisë prej tri humbjesh radhazi e duke frenuar shkodranët të cilët po ecnin me hapin e kreut.

Në pjesën e parë të sfidës, Dinamo ishte më ngulmuese dhe iu afrua disa herë portës së shkodranëve, të cilët ishin të përgjumur në prapavijë, por edhe në sulm. Skuadra e Brdariç u shfaq rrallëherë para portierit të ri Simoni, ndërsa ky i fundit bëri disa dalje të sigurta për të mos lejuar rreziqe para katërkëndorit.

Por në pjesën e dytë ai tregoi të gjithë vlerat e tij duke ndalur tentativat radhazi para portës nga kuqeblutë. Simoni priti gjuajtjet e Aralicës dhe Mustedanagiçit, duke mbajtur të paprekur katërkëndorin e tij e duke ndihmuar Dinamon të dilte nga kriza me një barazim ndaj një prej skuadrave më të forta të sezonit.