SPORT, 1 Qershor 2022, 22:58

Argjentina shkëlqen ndaj Italisë dhe fiton trofeun “Finalissima”

Argjentina shkëlqen ndaj Italisë dhe fiton trofeun

Argjentina, kampione e Amerikës Latine,  është fituesja e “Finalissima” pasi mposhti Italinë (kampione e Europës) me rezultatin e pastër 3-0, të zhvilluar në "Uembli" të Londrës.

Mjaftuan 45 minuta për ekipin e Lionel Scalonit që të hipotekonte fitoren me golat e Lautaro Martinez (28') dhe Angel Di Maria (45'), ndërsa në fundin e takimit Dybala (94') vulosi gjithçka.

Argjentina është dukshëm më superiore se Italia në pjesën e parë, ndërsa shfrytëzon mirë mundësitë që i jepet. Është Lionel Messi që luan bukur dhe pason për Lautaro Martinez i cili nuk fal duke prishur edhe ekuilibrat e takimit.

Kur ekipet pritet të shkojnë në dhomat e zhveshjes, është Angel Di Maria që gjen edhe njëherë rrugën e rrjetës duke i çuar shifrat në 2-0. Në pjesën e dytë Italia përpiqet të ndryshojnë diçka, por pa sukses.

Argjentina është në pritje të sinjalizimit të gjyqtarit për të nisur festën, ndërsa Dybala realizon edhe golin e tretë të takimit duke vulosur rezultatin final në 3-0.

Në fund është Argjentina që triumfon në "Uembli" dhe ngre në qiellin e Londrës trofeun e parë të "Finalissimas".