AKTUALITET, 2 October 2026, 13:53

Spitali memorial në Fier/ 69-vjeçarja del nga spitali ditën e ditëlindjes, mjekët kryejnë ndërhyrjen e vështirë në aortë

Spitali memorial në Fier/ 69-vjeçarja del nga spitali ditën e

Një ndërhyrje e vështirë në zemër i shpëtoi jetën, 69-vjeçares Vjollca Xhafa nga Kavaja.

Për herë të parë në një spital publik, kirurget e Memorialit në Fier realizuan vendosjen e endoprotezës në aortë.

"Çau shtresat e aortës. Kemi bërë të mundur endoplantimin e protezës së aortës për herë të parë në një spital publik në Shqipëri. Vendosja e endoprotezës bën që të kemi qarkullim të rregullt të gjakut, pa anomali të tjera”, tha shefi i Shërbimit të Hemodinamikës, Ndriçim Kallashi.

Në sallën e operacionit kanë marrë pjesë 10 mjekë shqiptarë dhe turq, mes tyre specialistë të kardiologjisë dhe hemodinamikës.

“Duke qenë se ishte ndërhyrja e parë në sistemin publik shqiptar, jemi shumë të kënaqur që çdo gjë shkoi siç donim”, tha një prej tyre.

Riparimi endovaskular i aortës torakale (TEVAR) ose abdominale (EVAR) është një teknikë moderne që konsiston në vendosjen e endoprotezes nga brenda aortës duke lënë jashtë funksionit pjesën e dëmtuar të saj. Kjo ndërhyrje minimalisht invazive ka efikasitet më te lartë se operacionin klasik (me hapje) dhe mundëson rikuperim më të shpejtë të pacientit.

Për familjen Xhafa, lajmi i mirë vjen në një ditë të shënuar, ditëlindjen e 69-të të Vjollcës.