AKTUALITET, 2 October 2026, 12:36

Videot intime, mbërrin denoncimi i parë në polici: Gjeni kush shpërndau pamjet! Kontrolle në studion e kompozitorit. Thirret gazetari Tozaj

Videot intime, mbërrin denoncimi i parë në polici: Gjeni kush

Tre ditë pas publikimit në rrjetet sociale të videove intime të kompozitorit Adrian Hila me disa artiste të njohura, një prej artisteve të përfshira ka bërë kallëzim në Policinë e Tiranës. 

Artistja në fjalë, nuk ngre pretendime ndaj kompozitorit Hila, por ajo kërkon që përmes hetimit të zbulohet se kush i ka publikuar materialet, qoftë në faqe online pornografike, por edhe shpërndarjet në rrjetet sociale në Shqipëri. Autorësinë e publikimin e videove për opinionin publik shqiptar e ka marrë përsipër gazetari i showbizzit Elton Tozaj, i cili pritet të merret në pyetje.

Ndërkohë, kompozitori Adi Hila ka dëshmuar për disa orë në Policinë e Tiranës, ndërsa pas kontrolleve në studion ku dyshohet se janë realizuar filmimet ai është lënë i lirë pas mesnate. Burime për Report Tv bëjnë me dije se kamera e vendosur në ambientet e studios mund të dallohet vetëm nëse shihet me vëmendje. Deri tani nuk janë sekuestruar materiale për ekspertim, ndërsa hetimet vështirësohen edhe për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga realizimi i pamjeve.

Përpara hetuesve, Hila ka pranuar se kamerat i kishte vendosur vetë, por ka mohuar që qëllimi të ishte filmimi i momenteve intime. Sipas dëshmisë së tij, sistemi ishte instaluar që në vitin 2022 për arsye sigurie, pasi në zonën ku ndodhet prona kishin ndodhur vjedhje.

Kompozitori ka deklaruar se kishte vendosur kamera në disa pjesë të pronës dhe se bëhej fjalë për pajisje të thjeshta, të cilat, sipas tij, nuk kishin memorie për ruajtjen e pamjeve, por funksiononin online. Gjatë marrjes në pyetje, Hila ka qenë i tronditur dhe ka pretenduar se sistemi i kamerave mund të jetë hakeruar.

Pikërisht mënyra se si pamjet kanë dalë nga sistemi dhe kanë përfunduar në internet është një nga pistat kryesore që po verifikojnë hetuesit. Sektori i Krimeve Kibernetike po punon për identifikimin e adresave IP të profileve që kanë shpërndarë materialet, ndërsa pritet edhe ekspertimi i sistemit të kamerave për të verifikuar nëse ka pasur ndërhyrje nga persona të paautorizuar.

Videot intime të kompozitorit me artiste të njohura u shpërndanë me shpejtësi mbrëmjen e së martës në Whatsapp dhe platforma të tjera. Gjatë ditës, të mërkurën një prej artisteve të përfshira, u shtrua me urgjencë në spital, në kushtet e një traume të fortë psikologjike. Disa nga materialet filmike intime, janë hedhur në faqe online pornografike. Të paktën njëra prej tyre është hedhur në këto faqe, 1 vit më parë.

Por personi që i bëri publike në rrjetet sociale mbrëmjen e së martës këtë 29 shtator, të paktën siç ai vetë e mori autorësinë, është gazetari i showbizzit, Elton Tozaj, i cili po ashtu pritet të merret në pyetje. Publikimi ishte i rëndë, pa ruajtur anonimitetin, të paktën e grave të përfshira apo mbulimin e pjesëve intime. Policia ka thërritur për të marrë në pyetje edhe gazetarin Tozaj, por kjo do të ndodhë pasi dëshmisë së kompozitorit Adrian Hila.