TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kroacia po i kërkon Malit të Zi kthimin e një sërë pasurish ushtarake të mbetura nga ish-Jugosllavia, mes tyre anije luftarake, nëndetëse, mjete lundruese dhe një spital ushtarak. Sipas Zagrebit, vlera e tyre kalon 2.4 miliardë euro dhe kjo çështje do të lidhet edhe me negociatat e Podgoricës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, deklaroi se anija "Jadran" nuk është e vetmja pasuri që Kroacia kërkon nga Mali i Zi. Sipas tij, Zagrebi disponon harta interaktive dhe dokumente që tregojnë gjendjen e pasurisë ushtarake më 31 maj 1990 dhe një vit më vonë.
"Në atë kohë kishim rreth 207 mjete lundruese në Kroaci dhe rreth 30 në Mal të Zi, ndërsa një vit më vonë situata ishte e kundërt – 207 në Mal të Zi dhe rreth 30 në Kroaci", tha ministri kroat.
Sipas Grliq Radman, një pjesë e këtyre pasurive është zhdukur ose është transferuar. Ai tha se Kroacia i ka të gjitha rastet të dokumentuara.
"Ne i kemi të gjitha të regjistruara dhe bëhet fjalë për pasuri me vlerë mbi 2.4 miliardë euro", u shpreh ai.
Ministri kroat foli edhe për çështjen e kthimit të pronave të konfiskuara të kroatëve në Mal të Zi. Ai tha se Zagrebi do të kërkojë që kjo çështje të trajtohet në kuadër të kapitullit 23 të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian.
Deklaratat u bënë gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Przhno. Më pas, Grliq Radman mori pjesë edhe në vendosjen e kurorave pranë pllakës përkujtimore kushtuar të burgosurve kroatë në ish-kampin e Morinjit.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të përballet me të kaluarën dhe të ndërtojë një shoqëri të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë.