AKTUALITET, 16 Janar 2018, 21:06

Spahiu pyet Braçen: A ke përfituar financiarisht nga heqja e akcizës për pijet energjike?!

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu i ka kthyer përgjigje kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, pasi ky e fundit aludoi në një emision televiziv se ka deputet që duan të përfitojnë politikisht me statusin e minatorit.

Nëpërmjet një statusi në profilin e tij në facebook, deputeti Spahiu, i është përgjigjur kësaj akuze duke i bërë një pyetje direkte Braçes, nëse ai ka përfituar financiarisht, duke hequr akcizën për pijet energjike.

Gjatë muajit dhjetor, teksa diskutohej Paketa Fiskale e 2018, Partia Socialiste votoi heqjen e akcizës së pijeve, 30 lekë për litër, dhe që i sillnin buxhetit të shtetit mbi 3 milion euro në vit. Ndërkohë ishte vetë kjo forcë politike që e kishte vënë si taksë në vitin 2014.