AKTUALITET, 13 Prill 2019, 08:43

Sot pasdite protesta e opozitës para Kryeministrisë, 1500 forca policie në terren, Noka: Do ketë surpriza

Sot pasdite protesta e opozitës para Kryeministrisë, 1500 forca


Ditën e sotme në orën 18:00 pritet të nisë protesta e rradhës e opozitës së bashkuar. Ndryshe nga herët e tjera kjo protestë do të fillojë afër mbrëmjes edhe ende nuk dihet se kur do të përfundojë.  Pritet që qytetarë nga rrethet të marrin pjesë në protestën e sotme, e cila do të zhvillohet para godinës Kryeministrisë.  Mësohet se rreth 1500 forca policie do të jenë në terren, ku nuk do të mungojë edhe garda e Republikës. Po ashtu në gatishmëri do të jenë dhe autobotet me ujë, gazi lotjsellës dhe do të ketë edhe rrethim me gardhe prej hekuri.

Pjesë e masave të policisë pritet që të jetë edhe bllokimi i qarkullimit në rrugën ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’, rrugët që lidhin bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit, nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca. Në këto rrrugë do të ndalohet edhe parkimi i mjeteve.

Një ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi: “Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në Tiranë! Për standarte të vërteta, për mirëqenie për çdo shqiptar, për shtëpine tonë, për fëmijët tanë, për Shqipërinë si gjithë Europa”, u shpreh Basha.

Ndërsa ish-deputeti i PD-së Flamur Noka në “News 24” u shpreh se zemërimi popullor kundër Kryeminsitrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ka arritur pikën e vlimit dhe për pasojë do të ketë surpriza të mëdha.

Për protestën e sotme nuk ka munguar edhe një reagim i ambasadës amerikane,  e cila i bën thirrje personit të saj që të evitojnë kalimin në zonat ku mund të protestohet, duke pasur parasysh se herët e kaluara është përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Prej disa muajsh vendi është në një ngërç politik. Deputetët e opozitës kanë lënë mandatet e tyre dhe kërkohet largimi i Ramës nga pushteti. Opozita kërkon krijimin e një qeverie tranzitore. Nga ana tjetër Rama shprehet i vendosur se vendi do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka nisur fushatën.