AKTUALITET, 19 September 2026, 13:45

Skandali me manekinin e Çerçiz Topullit, dorëhiqet kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër

Pas reagimeve dhe kritikave të shumta për manekinin e vizatuar dhe mënyrën se si ishte ekspozuar heroi kombëtar Çerçiz Topulli në Muzeun e Gjirokastrës, kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi, ka dhënë dorëheqjen.

Në deklaratën e tij, Hysi shprehet se vendimi është marrë si një akt përgjegjësie personale, ndërsa thekson se ajo që u konsiderua si gabim tashmë është korrigjuar.

Sipas tij, manekini që shkaktoi reagime është ndryshuar dhe ai merr përsipër përgjegjësinë për situatën.

“Ajo që u konsiderua gabim u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër”, shkruan ai, ndërsa shton se “dorëheqja ime nuk është dorëzim nga ajo që besoj. Është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin”.

Ndërkohë, sipas pamjeve të reja nga muzeu, manekini që u bë objekt kritikash është ndryshuar. Veshjet e Çerçiz Topullit tashmë janë vendosur në një manekin pa fytyrë, ndërsa më herët ato ishin ekspozuar në një manekin me një imazh që shkaktoi reagime dhe u cilësua nga kritikët si qesharak.

Reagimi i plotë i Florian Hysit:

“Pas një periudhe pune të përkushtuar në shërbim të trashëgimisë kulturore, muzeve dhe Gjirokastrës, kam vendosur të jap dorëheqjen time prej pozicionit që mbaj.

E bëj këtë vendim me përgjegjësi dhe me bindjen se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për çdo vendim veprim apo gabim që mund të ndodhë gjatë saj. Ajo që u konsiderua gabim u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër.

Largohem me mirënjohje për mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër për kolegët dhe veçanërisht për punonjësit e Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore me të cilët kemi punuar dhe realizuar ehumë më shumë më tepër sesa ishte bërë prej vitesh. Dorëheqja ime nuk është dorëzim nga ajo që besoj. Është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin!

Mbetem mirënjohës për punën e bërë, për përpjekjet tona dhe për çdo gjurmë që kemi lënë në muze dhe në kujtesën e Gjirokastrës.

Do të vazhdoj ta dua dhe ta mbështes Gjirokastrën, trashëgiminë e saj dhe kujtesën tonë kombëtare , në çdo formë që do të më jepet mundësia. Ne u përpoqëm atë që u konsiderua gabim e korrigjuam dhe punën do t’a lëmë të flasë vetë.”