TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në foto është Hysni Patushi, i cili dyshohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij, Lumturie Patushin, brenda banesës së tyre në zonën e Zogut të Zi në Tiranë.
Ngjarja është raportuar rreth orës 10:20, ndërsa shërbimet e policisë janë njoftuar nga Salla Operative për një plagosje me mjet prerës brenda familjes.
Në banesën e çiftit në zonën e Zogut të Zi ka mbërritur menjëherë ekipi i urgjencës mjekësore, i cili ka konstatuar vdekjen e Lumturie Patushit. Sipas të dhënave paraprake, ajo kishte marrë një plagë të thellë në pjesën e djathtë të kraharorit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima është goditur me thikë nga bashkëshorti i saj, Hysni Ramadan Patushi.
Ngjarja është parë edhe nga një prej nipërve të çiftit, 14-vjeçari A. J., i cili ndodhej në banesë së bashku me vëllezërit e tij të vegjël dhe gjyshërit.
Sipas deklarimeve paraprake, 14-vjeçari kishte parë gjyshërit duke debatuar dhe, pasi ishte larguar për pak çaste nga banesa, kur ishte kthyer kishte parë gjyshin duke goditur me thikë gjyshen.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar ishte larguar nga banesa, ndërsa policia kishte nisur kërkimet për lokalizimin e tij. Në vendngjarje nuk është gjetur apo sekuestruar ende mjeti prerës.
Më pas, Hysni Patushi është vetëdorëzuar në Komisariatin Nr. 5, ku është shoqëruar nga shërbimet e policisë.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.