TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një 42-vjeçare shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pasi u përplas nga një kamion i mbledhjes së mbetjeve teksa po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare në shkollë.
Viktima është identifikuar si Lavdije Isteri, nënë e tre fëmijëve, e cila jetonte prej vitesh në Passarella di San Donà di Piave me bashkëshortin dhe familjen e saj.
Aksidenti ndodhi pak para orës 08:00 në rrugën “Paolo VI”. Isteri po kalonte në vijat e bardha kur u përplas nga një kamion i kompanisë Alisea, e cila operon për Veritas.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes, kamioni po kthehej djathtas me shpejtësi shumë të ulët, ndërsa 42-vjeçarja ndodhej në atë që kompania e cilëson si “pikë të verbër” të mjetit.
Shoferi, 59 vjeç, nuk e kishte parë gruan, ndërsa as punonjësi tjetër që ndodhej në pjesën e pasme të kamionit nuk kishte vënë re aksidentin.
Vajza e vogël e Lavdijes, të cilën ajo po e shoqëronte për në shkollën fillore “Marco Polo”, fatmirësisht nuk pësoi dëmtime. Sipas një dëshmitareje, 9-vjeçarja ishte disa metra përpara nënës dhe e kishte kaluar rrugën kur kamioni përplasi 42-vjeçaren.
Pas ngjarjes, vajza u shoqërua nga mësuesit brenda shkollës, ndërsa në vendngjarje mbërritën edhe dy fëmijët e tjerë të viktimës, 20 dhe 18 vjeç. Të tre fëmijët u dërguan në spital, ndërsa autoritetet shëndetësore ofruan mbështetjen psikologjike për ta.
"Po i shoqëroja fëmijët e mi në shkollë kur pashë shumë nëna që vrapuan drejt fundit të rrugës. Kur mbërritëm, pamë tragjedinë. Fatmirësisht, vajza ishte pak më përpara nënës dhe e kishte kaluar rrugicën", tha një nënë që ndodhej pranë shkollës.
Ngjarja ka tronditur të gjithë komunitetin. Në shkollën fillore "Marco Polo", nxënësit nuk dolën në pushimin e madh, ndërsa prindërit u larguan të tronditur pas përfundimit të mësimit.
Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, ekipet e urgjencës dhe Policia Bashkiake. Për nxjerrjen e 42-vjeçares, e cila kishte mbetur e bllokuar poshtë kamionit, u përdor edhe një autovinç. Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, ajo nuk mundi të mbijetonte.
Mjeti është sekuestruar, ndërsa dinamika e aksidentit po hetohet nga Policia Bashkiake e San Donà di Piave.
Lavdije Isteri ishte e njohur në komunitetin e Passarellas. Një person që e njihte e përshkroi si “një grua të rezervuar, gjithmonë të buzëqeshur, të cilën e donin të gjithë”.
Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë, Alberto Teso. Administrata vendore shprehu ngushëllimet për familjen, ndërsa këshilltari për Sigurinë, Simone Cereser, shprehu veçanërisht mbështetjen për tre fëmijët e viktimës.
Edhe kompania Veritas shprehu dhimbjen për ngjarjen dhe solidaritetin me familjen e 42-vjeçares.