AKTUALITET, 19 September 2026, 10:09

Shqipëria drejt hapësirës, bëhet vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis të NASA-s

Shqipëria pritet të bëhet vendi i 73-të nënshkrues i Marrëveshjeve Artemis, një nismë ndërkombëtare e udhëhequr nga NASA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për bashkëpunimin në eksplorimin civil, të sigurt dhe paqësor të hapësirës.

Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në orën 12:00 sipas kohës së Uashingtonit (EDT), në selinë e NASA-s në kryeqytetin amerikan.

Në ceremoni do të jetë i pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati. Ceremonia do të drejtohet nga zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, ndërsa do të marrin pjesë edhe zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020, gjatë administratës së parë të Donald Trump, me Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera si nënshkruesit themelues.

Nisma u krijua në një kohë kur interesimi për eksplorimin e Hënës dhe aktivitetet hapësinore ishte në rritje, si nga qeveritë, ashtu edhe nga kompanitë private.

Dokumenti përcakton një sërë parimesh për eksplorimin civil të hapësirës, duke synuar rritjen e sigurisë, transparencës dhe koordinimit ndërkombëtar në misionet drejt Hënës, Marsit dhe më tej.

Parimet e Marrëveshjeve Artemis përfshijnë eksplorimin paqësor dhe transparent të hapësirës, ndihmën për astronautët në raste emergjencash, shkëmbimin e të dhënave shkencore, regjistrimin e objekteve hapësinore, koordinimin e aktiviteteve për të shmangur ndërhyrjet e dëmshme, si dhe masat për reduktimin e mbetjeve orbitale.

Një tjetër element i marrëveshjeve lidhet me përdorimin e burimeve hapësinore. Sipas parimeve të përcaktuara në marrëveshje, shfrytëzimi i burimeve në Hënë, Mars dhe asteroidë duhet të kryhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në mbështetje të eksplorimit të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve, Shqipëria do t’i bashkohet një grupi prej 73 vendesh që kanë zgjedhur të angazhohen në këto parime të bashkëpunimit për eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës.

Vetëm pak ditë para Shqipërisë, më 14 shtator, Xhibuti u bë vendi i 72-të që iu bashkua Marrëveshjeve Artemis dhe vendi i tetë afrikan që nënshkroi dokumentin.

Nënshkrimi i Shqipërisë do të zhvillohet në selinë e NASA-s në Uashington dhe përbën një tjetër hap në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të programit Artemis dhe eksplorimit të ardhshëm të Hënës dhe më gjerë.

Ceremonia do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike. Gazetarët e interesuar për ta ndjekur atë duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen pranë NASA-s brenda orës 10:00 të mëngjesit të 21 shtatorit.