AKTUALITET, 28 July 2026, 21:41

Siguria në sezonin turistik/ Lamallari dhe Hita inspektojnë Shëngjinin: 357 drejtues të ndëshkuar për shpejtësi të lartë

lamallari.png

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë inspektuar këtë të martë masat e sigurisë në zonën e Shëngjinit, në kuadër të sezonit turistik.

Gjatë inspektimit, kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e strukturave policore për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe vizitorëve gjatë periudhës së fluksit turistik.

Hita theksoi se siguria rrugore mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit gjatë sezonit veror, duke bërë të ditur se kontrollet janë intensifikuar dhe se po përdoren më shumë mjete inteligjente monitorimi në akset rrugore.

“Vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me shpejtësi të konstatuara që varionin nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h”, deklaroi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u bëri apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, sinjalistikën dhe rregullat e qarkullimit, duke theksuar se shpejtësia mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda.

Gjatë inspektimit, Hita u ndal edhe te problematika e ndotjes akustike, duke vlerësuar punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për kontrollet e vazhdueshme dhe matjet e nivelit të zhurmës përmes pajisjeve të specializuara.

Ai kërkoi nga strukturat e Policisë së Lezhës, si dhe nga të gjitha strukturat policore në vend, që të vijojnë intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e ligjit dhe respektimin e normave të zhurmës.

Sipas tij, qëllimi është garantimi i qetësisë publike dhe krijimi i kushteve sa më të mira për banorët dhe pushuesit në të gjitha zonat turistike të vendit.