TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, deklaroi se administrata doganore shqiptare ndodhet në pararojë të procesit të integrimit evropian, duke theksuar se objektivi i Shqipërisë është përmbyllja e kapitujve të negociatave të hapur deri në fund të vitit 2027. Gjatë një konference për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Petrit Malaj, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, Beja u shpreh se pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dogana shqiptare do të shërbejë si kufiri i jashtëm i BE-së.
“Jemi në rrugën e duhur për t’i përmbyllur kapitujt ku jemi brenda vitit 2027. Shqipëria do të jetë vend kufitar i Bashkimit Evropian dhe dogana shqiptare do të jetë dogana e gjithë BE-së”, deklaroi ai. Sipas Bejës, në kuadër të Kapitullit 29 "Bashkimi Doganor", Shqipëria duhet të përmbushë katër objektiva kryesore: përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së, modernizimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe zbatimin e protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit.
Ai bëri të ditur se procesi i aderimit në këtë protokoll tashmë ka përfunduar, ndërsa Kodi i ri Doganor, i harmonizuar me legjislacionin evropian, i është dërguar institucioneve të Bashkimit Evropian për miratim. "Presim dakordësinë e BE-së, në mënyrë që Kodi Doganor të miratohet nga Kuvendi gjatë muajit shtator. Janë miratuar edhe aktet nënligjore dhe më pas do të plotësohen dispozitat zbatuese, duke përmbyllur harmonizimin e plotë të legjislacionit doganor me atë evropian”, tha Beja.
Në fushën e teknologjisë, kreu i Doganave theksoi se të gjitha procedurat tashmë kryhen në mënyrë digjitale dhe se është nënshkruar një marrëveshje me UNCTAD për zhvillimin e një sistemi të ri doganor, i cili do të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe do të përdorë edhe inteligjencën artificiale. Edhe pse afati i përcaktuar për përfundimin e këtij sistemi është viti 2030, Beja tha se administrata doganore synon ta realizojë këtë objektiv përpara afatit.
Ai nënvizoi gjithashtu se një mision monitorues i Komisionit Evropian ka vlerësuar pozitivisht aftësitë e administratës doganore shqiptare për të zbatuar legjislacionin e BE-së dhe për të funksionuar si pikë hyrëse dhe dalëse në kufirin e jashtëm të Unionit. Në përfundim, Beja theksoi se një nga reformat më të rëndësishme është ndryshimi i modelit të funksionimit të Doganës, duke kaluar nga kontrollet intensive në kufi drejt lehtësimit të procedurave për biznesin dhe rritjes së kontrolleve pas zhdoganimit, në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.