AKTUALITET, 28 July 2026, 20:45

Shqipëria mes vendeve me fluksin më të lartë turistik në raport me popullsinë, Gonxhja: Rezultat i viteve investime

gonxhja

Shqipëria renditet sot ndër vendet me fluksin më të lartë të turistëve në raport me popullsinë.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i cili nënvizoi se ky pozicion nuk është produkt i rastësisë dhe as i një momenti të favorshëm.

“Ai është rezultat i një procesi të gjatë investimesh në infrastrukturë, zgjerimit të kapaciteteve aeroportuale, përmirësimit të rrjetit rrugor, rritjes së konektivitetit ndërkombëtar, promovimit të qëndrueshëm të vendit dhe ngritjes graduale të standardeve të shërbimeve. Në thelb, kemi të bëjmë me një kapital reputacional që është ndërtuar me kohë, përmes përpjekjesh të vazhdueshme”, u shpreh ministri.

Gonxhja theksoi se “pikërisht në këtë fazë, kur Shqipëria po konsolidon identitetin e saj si një destinacion konkurrues në hartën turistike të Mesdheut, çdo akt që cenon perceptimin e stabilitetit dhe sigurisë meriton të vlerësohet me përgjegjësi”.

Sipas tij, turizmi nuk është thjesht një tregues statistikor i suksesit ekonomik; ai përfaqëson burimin e të ardhurave për mijëra familje, mbështet zhvillimin e sipërmarrjes, krijon mundësi punësimi për të rinjtë dhe përbën një nga shtyllat më dinamike të ekonomisë shqiptare.

“Në një shoqëri demokratike, e drejta për të protestuar dhe për të artikuluar qëndrime politike është themelore. Megjithatë, po aq themelore është edhe përgjegjësia për të peshuar pasojat që format e protestës mund të kenë mbi interesin publik. Kur veprime të caktuara prodhojnë imazhe pasigurie apo pengojnë funksionimin normal të jetës ekonomike, ndikimi i tyre nuk mbetet vetëm në sferën politike; ai reflektohet te perceptimi i turistëve, te besimi i investitorëve dhe te aktiviteti i bizneseve që varen drejtpërdrejt nga turizmi”, shtoi Gonxhja.

Sipas ministrit, Shqipërisë i janë dashur vite reforma, investime dhe përpjekje të koordinuara për të fituar besimin dhe vëmendjen e tregjeve ndërkombëtare.

“Kjo përbën një arritje që tejkalon interesat e ditës dhe duhet trajtuar si një aset kombëtar, i cili kërkon kujdes, maturi dhe përgjegjësi nga të gjithë aktorët e jetës publike”, shtoi ai.