AKTUALITET, 28 July 2026, 20:36

Gjykata Supreme e Brazilit lë në fuqi arrestin e Ervin Matës, rrëzohet kërkesa për lirim, vijon procedura për ekstradimin në Shqipëri

wmremove-transformed (4).jpeg

Gjykata Supreme e Brazilit ka refuzuar kërkesën e Ervin Matës për revokimin e masës arrest me burg. Ndërkohë, po shqyrtohet kërkesa e shtetit shqiptar për ekstradimin e trafikantit të drogës.

Sipas gjyqtarit Alexandre Moraes, nuk ka rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin lirimin e Matës ose zëvendësimin e arrestit me masa të tjera sigurie. Gjithashtu, hodhi poshtë argumentin e mbrojtjes se shteti shqiptar nuk e kishte formalizuar kërkesën për ekstradim, duke tejkaluar në këtë mënyrë afatin prej 60 ditësh.

Sipas vendimit, qeveria shqiptare ka paraqitur rregullisht kërkesën për ekstradimin e Ervin Matës.

Gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes dhe se arresti për qëllime ekstradimi përbën një kusht thelbësor procedural për zhvillimin e procesit, duke garantuar dorëzimin e personit tek autoritetet shqiptare në rast se ekstradimi miratohet. Prokuroria është shprehur në favor të ekstradimit.

Gjykata refuzoi edhe një tjetër kërkesë të mbrojtjes, e cila kishte kërkuar kryerjen e verifikimeve shtesë për kompetencën e autoriteteve shqiptare dhe ekzistencën e hetimeve në Brazil apo Gjermani lidhur me çështjen. Sipas vendimit, dokumentacioni i paraqitur nga Shqipëria plotëson kërkesat e ligjit brazilian për ekstradimin dhe nuk nevojiten veprime të tjera hetimore.

Ervin Mata u arrestua në prill në Ilha Bela të Brazilit. Ai përdorte dokumente angleze, të vlefshme deri në 2030, për t’iu fshehur autoriteteve pasi nda tijj ishte lëshuar një urdhër-arrest nga Gjykata e Lartë Federale e Brazilit. Shteti shqiptar kërkonte arrestimin e tij që nga viti 2023.

Në vitin 2023, Ervin Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal me 11 persona, ku përfshihej edhe djali i ish-zyrtarit të policisë, Erzen Breçani. Sipas dosjes hetimore, të cilën në atë kohë Report Tv e siguroi, grupi dyshohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Në veçanti, Mata akuzohet se koordinoi grupin për trafikimin e 250 kilogramëve kokainë, ngarkesë e nisur nga Brazili në aeroportit të Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2020.

GJKKO caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” trafik droge, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale, dhe kjo si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ervin Mata është i njohur për drejtësinë shqiptare edhe pas përplasjes së bujshme me Ervis Martinajn, i zhdukur prej gati 4 vitesh, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja ish-bosit të lojërave të fatit.

6a68f1e47fb15Screenshot_3.jpg