AKTUALITET, 31 Mars 2018, 21:39

Si u zmbraps Rama për Rrugën e Kombit: Nga “i fortë”, në negociata me banorët

Si u zmbraps Rama për Rrugën e Kombit: Nga “i fortë”,

Dalja e parë publike e kryeministrit Edi Rama pas protestës së banorëve të Kukësit kundër tarifës në Rrugën e Kombit ishte e mbushur me tone “të forta” kundër atyre që ai i quajti “vandalë” dhe kundër opozitës. Në 16 minutat e konferencës përballë kamerës së ERTV (pasi në sallë nuk kishte gazetarë) kreu i qeverisë njoftoi nisjen e bisedimeve me banorët sikur kjo çështje të ishte hapur papritur mëngjesin e së shtunës së 31 marsit. Ai tha se do të takonte edhe kryebashkiakun demokrat të Kukësit, por i vuri kusht që të distancohet nga dhuna. Ndërsa banorëve të Kukësit iu drejtua “me dorë në zemër” se do të ulej në bisedime.

“Me vandalët, ne do sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit. Ndërsa me qytetarët që e kundërshtojnë pagesën, sepse e konsiderojnë atë të lartë, ne do sillemi siç na e do vizioni që kemi dhe detyra që mbajmë. Do të bashkëbisedojmë, do të dëgjojmë me vëmendje dhe do të shpjegojmë me durim të gjithë të vërtetat e shtrembëruara, apo të mohuara krejt prej gënjeshtarëve dhe sharlatanëve të kazanit politik dhe mediatik.

Kontrata parashikon e zeza mbi të bardhë, jo vetëm 120 mijë euro, çdo vit, kontribut të kompanisë për transportin e banorëve më në nevojë, por edhe karta të posaçme kalimi, abone, me një pagesë të reduktuar për çdo banor të zonës që është përdorues i shpeshtë i asaj rruge. Këto janë të shkruara në kontratë dhe të shpjeguara prej nesh në çdo debat publik të ditëve të fundit” – tha Rama. Kreu i qeverisë i dërgoi sinjale sfide opozitës të cilën e akuzoi për nxitje të dhunës.

“Zjarrnxitëvse të kazanit politik të Tiranës, atyre që mjerisht nuk e udhëheqin, por e udhëpërmbysin çdo ditë opozitën shqiptare, duke e mbajtur atë peng nga frika e drejtësisë së re dhe duke e keqpërdorur përditë si një instrument kërcënimesh ndaj rrugës europiane të Shqipërisë iu them kaq: As populli i krejt Shqipërisë, as populli i vetë Kukësit nuk kanë asnjë lidhje me këtë shfaqje të ulët vandalizmi dhe po ashtu asnjë lidhje nuk kanë me dëshpërimin tuaj agresiv” – u shpreh Rama që kreun e opozitës Basha e kishte mesazhin në vetë të parë.

“Ndërsa të pangushëllueshmit kryetar pa kokë të opozitës, i cili doli pas zjarrit në mejdan dhe shpatën prej druri të aritmetikës së tij, duke ngatërruar 200 milionë dollarët që e vunë atë vetë nën akuzë për grabitje të Rrugës së Kombit me një 200 milionë dollarësh që, sipas tij, rri fshehur në arkën e shtetit dhe u dashka shpenzuar për mirëmbajtjen pa pagesë të Rrugës së Kombit, s’kam ç’i them, aq s’di, aq bën” – deklaroi kryeministri.