TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Përveç Rebani Jaupit, tashmë i komanduar si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, së fundmi po lakohen si kandidatë potencialë për postin më të lartë policor edhe 6 emra të tjerë. Një prej tyre është Agron Sojati, me një karrierë të gjatë si drejtues në sektorë të rëndësishëm të Policisë, aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri. Posti më i rëndësishëm që Sojati ka mbajtur së fundmi në Polici, ka qenë ai i drejtorit të Antiterrorit dhe si i tillë ai ka marrë pjesë në konferenca mjaft të rëndësishme rajonale e më gjerë, për luftën kundër terrorizmit. Po kaq i favorizuar për të qenë kreu i Policisë së Shtetit, për shkak të karrierës dhe eksperiencës, është edhe drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema. Gjithashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka, është një prej emrave të lakuar që plotëson kushtet për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, kandidatë për këtë post, janë edhe 3 emra të tjerë. Drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Eduart Merkaj, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu e po ashtu dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj. Ndonëse kriteret plotësohen nga 4 të parët, edhe emrat e Merkajt, Veliut e Hajnajt, janë lakuar ditët e fundit si drejtues të mundshëm të Policisë së Shtetit.
Për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ligji përcakton 3 kritere kryesore që duhen përmbushur nga emrat që do t’i propozohen Kryeministrit nga ministri i Brendshëm. Kushti i parë është grada, që duhet të jetë “Drejtues i lartë”, ose “Drejtues i parë”. Nuk duhet të ketë shtetësi tjetër përveç shtetësisë shqiptare si dhe duhet të ketë një karrierë të paktën 15vjeçare në Policinë e Shtetit, nga të cilat 10 vite në pozicione të larta drejtuese.